Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka pritur në një takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, znj. Nabila Abdelaziz Alshamsi. Siç shkruan në një shkrim në Facebook, atë e falënderoi për investimin në vlerë 26 milionë dollarë në ndërtimin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik të Fëmijëve, në kuadër të QKUK-së.
“Me kënaqësi prita në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, znj. Nabila Abdelaziz Alshamsi, të cilën e njoha me situatën epidemiologjike në vend dhe këmbyem përvojat e ballafaqimit me virusin vdekjeprurës të sitemeve tona shëndetësore.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë përkrahje të vazhdueshme për shëndetësinë tonë. Investimi me vlerë 26 milionë dollarë në ndërtimin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik të Fëmijëve, në kuadër të QKUK-së, është vepër madhore e kësaj ndihme, andaj jemi përgjithmonë mirënjohës dhe falënderues për këtë kontribut të madh për Kosovën.
Mbetemi të përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë me shtetin mik, Emiratet e Bashkuara Arabe. Faleminderit!”, ka shkruar Zemaj.


