Dush Gashi
Në ShBA shumë njerëz vërtet besojnë se Donald Trumpi ka fituar, por i janë vjedhur votat! Si është e mundur kjo?!
Gazetarët, të cilët janë interesuar për këtë, paskan kuptuar se për këtë kanë ndikuar informatat e marra nga Newsmax dhe One America News. Këto media paskan qenë krejtësisht të parëndësishme para se Trumpi të vijë në pushtet, por kur Trumpi i ka shpallur si bartëse të së vërtetës, ato janë bërë me ndikim në shoqërinë amerikane.
Disa të tjerë, si dëshmi për mashtrimin në zgjedhje paskan thënë se askënd nuk e njohin të ketë votuar për Bidenin. Për ta është krejtësisht e pamundur të ketë fituar Bideni. Por, sipas BBC-së, horizonti i tyre është kufizuar vetëm në rrjetet televizive të cilat i përcjellin, e të cilat e mbështesin pa kushte Trumpin dhe e i japin zjarr tezës së zgjedhjet janë vjedhur, ndërsa vetëm për këtë edhe flitet në kafiteri, në pompa të benzinës dhe në vende tjera në qytet?
A ka ngjashmëri kjo me Kosovën?
Ka edhe mirë bile!
Shihni disa portale tonat, të cilat mbajnë pa kushte anën e një orientimi politik, kanë shumë më tepër lexues, se sa e meritojnë me cilësinë dhe profesionalizimin e tyre. Pse ndodh kështu? Për arsyen e thjeshtë sepse partitë politike i orientojnë drejt tyre mbështetësit e tyre!
Edhe te ne, njerëzit të cilët i përcjellin lajmet vetëm në RTK, sigurisht se mund të mendojnë se problemi më i madh i Kosovës është shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe sikur kjo është bërë me qëllim të rrënimit të shtetësisë së Kosovës!
Se si mund të jetë televizioni shtetëror kaq i njëanshëm, jo vetëm rreth kësaj teme, deri sa shpenzon shuma të mëdha të parave të qytetarëve, do të duhej të duhej shqyrtuar seriozisht, por politikanët tanë nuk kanë ndjeshmëri të mjaftueshme për këtë! Po ashtu edhe fakti se si u bë që mediat tona degraduan në tërësi, sa rrallë ndonjë merret me temat që vërtet janë me interes për publikun?
Në kushtet tona, për të krijuar pamje të vërtetë duhet lexuar lajmet nga disa burime, jo vetëm nga një media! Përndryshe shndërrohemi në ata kuajt, të cilëve ua mbulojnë sytë anash, për të parë vetëm në një drejtim!