in

Rilexime nostalgjike: GJELOSH GJOKAJ, artist i shquar

           

(Kjo intrevistë  është botuar në gazetën javore të studentëve të Kosovës «Bota e Re », në muajn mars të vitit 1987.  Riprodhohet me rastin e pesë përvjetorit të vdekjes së piktorit të shquar shqiptar).

——————————————–

Nga Bajram Sefaj

            Opinionit kulturor te ne, sigurisht se i intereson të dijë edhe ndonjë hollësi më tepër për jetën dhe punën tuaj të derisotme prej piktori. Natyrisht se brenda një bisede sikurse është kjo, e cila zhvillohet me rastin e ekspozitës suaj të tridhjetë e njëtë vetjake këtu në Prishtinë, është vështirë, ose e pamundur, të jepet jetëshkrimi i një jete të pasur dhe të bujshme sikurse është juaja. Kah t`ia fillojmë nga monologu, apo dialogu?

            Edhe monologu edhe dialogu, ta quajmë si të doni, imi është një-piktura. Pasi po bisedojmë, do të dëshiroja të flasim, më parë se për çdo gjë tjetër, për pikturën. Piktura dhe jeta, jeta dhe piktura… kjo është punë shumë e vështirë të shpjegohet. Por të them që në fillim se çdo ekspozitë personale sjell diçka të re. Ekspozitat nuk janë interesante vetëm për opinion, vetëm për publikun. Ato janë interesante edhe për vetë artistin. Artisti në ekspozitë e sheh vetveten. Sheh se ku gabon, ku shkon përpara, një fjalë, çdo ekspozitë vetjake është, në një farë mënyre, orientim duhet t`i ndjekë krijuesi në vazhdim. Këtë do ta ilustroja me një rast konkret. Me vetveten. Me ekspozitën time të parë vetjake. Kjo duhet të ketë ndodhur para njëzet e pesë – gjashtë vjetësh, kur për herë të parë me ekspozitë vetjake dola në një qytet të vogël sikurse është Zajeçari, fjala vjen interesimi me të cilin është pritur /djekur/ kjo ekspozitë, në të cilën ishin ekspozuar gjithsej 30 punime, dhjetë – pesëmbëdhjetë vizatime dhe nja pesëmbëdhjetë piktura, fjalët që m`i kanë thënë për to miqtë, shokët dhe njohësit e artit përgjithësisht, më kanë dhënë zemër, më kanë entuziazmuar, sikur të më kishin thënë të ec përpara e vetëm përpara.

            – Nëse nuk gaboj, Gjelosh, kjo është ekspozita juaj e tridhjetë e njëtë vetjake që keni organizuar deri sot nëpër shumë galeri të vendeve të ndryshme të Evropës dhe të botës. Si e priti opinioni kulturor i Prishtinës, këtë paraqitje të re dhe si e pritët ju takimin me Prishtinën dhe me krijuesit e saj? 

            Pa, është një gjë interesante. Unë po shoh se këtu është krijuar një publik shumë serioz. Publik me të vërtetë i mirë. Akademia e Arteve e ka ndryshuar shumë atmosferën jo etëm në Prishtinë por gjithandej nëpër Kosovë. Profesorët, nxënësit, akademi dhe fakultete tashti kanë formuar një shije të mirë. Edhe vetë krijuesit janë rritur. Njerëzit këtu po përparojnë. Kam këtu ndërmend poetët, shkrimtarët, letrarët përgjithësisht. Prishtina këtu është bërë tashmë një qendër e njohur kulturore. Ekspozita ime këtu është pritur mirë. Më erdhi shumë mirë kur një vizitor që nuk e njihja m`u afrua e më tash se pikturat e ekspozuara i pëlqejnë shumë, se i ka të afërta disi, se ato i ofrojnë dhe flasin diçka. Ai nuk diti të shpjegojë diç më shumë por edhe ashtu si e tha, e tha mjaft bukur dhe tejet spontanisht.

            – Keni udhëtuar shumë. Në ato udhëtime a keni ndeshur njerëz të mëdhenj, autorë të veprave të mëdha. Sipas mendimit tuaj, a identifikohen artistët dhe vepra. Këtu kam parasysh një mendim të Ajralandit i cili lidhur me këtë thotë: “Vepra nuk përmban portretin e autorit të vet – ajo është ai”?!

 

            Kjo është shumë e vërtetë sepse secili krijues serioz me veprën e vet më së miri shpreh shpirtin e vet, vetveten. Kjo, edhe është një ndër të mirat e para të artit. Duke krijuar botën e vet me karakteristikat dhe veçoritë specifike të akcilit krijues del në shesh një laryshi krijimesh, veprash që pastaj e përmbajnë mozaikun me mijëra e mijëra margaritarë. Në të kundërtën vepra – veprës në këtë rast piktura – pikturës do t`i ngjante si veja vesë. Atëherë monotonia do të na mbyste. E cila është detyra e parë e artit? Ai duket të flakë perden e monotonisë. E sa i takon pjesës së parë të kësaj pyetje, të them se me njerëz të mëdhenj të artit kam pasur rastin të takohem sidomos gjatë qëndrimit në Romë. Kështu kam pasur miqësi me pikturë shumë të njohur. Jam njoftuar edhe me De Kirikon. Ai ishte edhe në ekspozitën time në Romë. De Kiriko, atëbotë plak i moshuar, kishte mbi tetëdhjetë vjet, dalëngadalë vjen dhe shikon ekspozitën time. I pëlqen ekspozita. Pasi që njoftohem e kuvendojmë bukur gjatë, ai shpreh dëshirën të bëjë një shkrim për punimet e mira, (shkriin e teksteve për kolegët e vet De Kiriko e ka pasur hobi). Por, mjerisht, pas këtij takimi ai shumë shpejt vdiq dhe teksti për pikturën time ngel i pashkruar nga dora e tij. Një tjetër piktor me të cilin jam njohur e jam miqësuar është edhe Gutuzo, Renato Gutuzo, i cili sikurse e dini, këto ditë, vdiq në Romë. Ndonëse nuk ishte i nivelit të De Kirikos edhe Gutuzo ishte një piktor i madh, piktor nacional, më i njohur në tridhjetë vjetët e fundit në Itali.

            – Një koleg juaji piktor, në bisedë me gazetarët, ndër të tjera thotë: “Ndeshja me Pikason ka zgjuar në mua krijuesin, piktorin. A keni ndonjë piktor që më së shumti… ka shqetësuar shpirtin tuaj krijues”?! Një apo shumë të tillë? Vërtet nuk e di as vetë. Përpara mund të them se shumë piktorë kanë ndikuar që të marr këtë rrugë. 

            Në artin modern botëror është e pamundur të thuhet se dike se është tërësisht origjinal dhe se tjetër (si ai) nuk ka. Ashtu, vërtet sikundër e ka thënë Gëte, mund të pohojnë vetëm ata që s`i njohin rrjedhat e artit. Tërë ajo që krijohet sot në botë, duke përfshirë këtu edhe artet figurative, janë fryt i përvojave, i njohurive të përgjithshme. Krijuesi serioz do të jetë i kënaqur me punën e vet poqëse ia del që të arriturat, të themi në art, t`i çojë edhe për pak përpara, të sjellë atje freski, ndonjë element të ri. Ndonjë element i ri freskues në tabanin e njohurive dhe niveleve të deriatyshme, mund të merret, pa ngurrim, si kategori e origjinalitetit. E asgjë tjetër. Është marri të pohohet se ashtu si punoj unë s`punon askush tjetër!

            – Sipas mendimit tuaj, a mund të krijohet vepra e madhe artistike edhe në provincë. Çfarë janë, lidhur me këtë, eksperiencat tuaja, pas qëndrimit aq të gjatë në Romë, dhe pas një kohe që jetoni e krijoni në Augsburg të Gjermanisë Federale?

            Po them shkurt se sot nuk ka më provincë, së pakut, në atë kuptimin e parë të kësaj fjale. Sot mediumet e informimit janë aq të shpejta, janë aq të fuqishme saqë njeriu s`ka kohë t`u ikën. Unë më parë jam i prirur të them se njerëzit vetë e krijojnë edhe provincën por edhe metropolen. Nga kjo del edhe përgjigja në këtë pyetje. Vepra e madhe mund të krijohet kudo. Atë e krijon shpirti ndjenja e krijuesit e jo vendi, ambienti. Njeriun e patalent të pa shpirt, çoje në Romë, çoje në Paris, në Nju Jork, ku të duash, nuk mund të bëjë asgjë. Njeriu i talentuar edhe në provincë krijon ashtu si krijohet kudo tjetër në botë. Provinca është e rrezikshme për aq sa arrinë të brejnë shpirtin e artistit… e a asgjë tjetër. Përparësia (poqëse kjo fare është përparësi) e një qyteti të madh, e nëj Rome, ta zëmë, mbështetet në atë se aty i ke të gjitha në një vend. Të gjitha ato që të interesojnë. Kështu nuk je i detyruar që, orë e çast, të bredhësh e të kërkosh.

            – Po nënqielli, ku njeriu jeton dhe krijon, sa mund ët ndikojë në procesin krijues”?

            Nuk është e vërtetë se nënqielli nuk lë asfare gjurmë në punën krijuese të një artisti. Për shembull, qëndrimi /jeta dhe puna/ në Gjermani më ka nxitur që të përdori ngjyrën e hirit. Përndryshe gjithmonë e kam dashur këtë ngjyrë. Ngjyrën e hirit përherë e kam pasur të afërt dhe të përshtatshme. Pastaj të kuqen.

            – Njohësit e pikturës dhe të artit tuaj përgjithësisht, thonë, ndër të tjera, se kudo që shtegtoni, kudo që jetoni dhe punoni, me vete merrni bagazhin e motiveve nga vendlindja. Sa është kjo e vërtetë? 

            Ka aty diç të vërtetë. Po aty edhe pa vetëdije hyjnë elemente folklorike. Njeriu diçka merr nga fëmijëria. Kur njeriu të gjitha këto i bashkon, kur nga ato krijon një simbiozë, me pjekurinë, me njohuritë që rriten për çdo ditë, me informacionet që vështrojnë nga çdo anë, atëherë puna është mirë. Në të vërtetë, piktura me vetë qenien e saj është në një farë mënyre kolazh dhe se e sa herë, lind pikërisht prej gjërave konkrete. Njëherë të intereson një portret, herën e dytë në kujtesë të mbesin sytë e thellë bojë qielli të një femre të cilët njeriu mbase edhe pas tri katër vjetësh, i futë në pikturë, ashtu të gjallë sikur t`i kishte parë dje!

            – A mund të thoni sa kohë jetoni me motivin, me përjetimin, sikurse thoni ju vetë, me idetë që ju lind, dhe së fundi, a pikturoni kur doni apo kur duhet të pikturoni?

            Jo, pikturimi nuk është punë, “kancelarie”. Të pikturosh se duhet të pikturosh! Te piktura nuk ka ligje. Pikturohet atëherë kur njeriu është më i këthjellti shpirtërisht edhe fizikisht. Kur njeriu /piktori/ i përmbush këto parakushte atëherë mund të llogaritet se edhe piktura ka për t`i dalë e mirë. E shëndetshme. Thonë se Van Gogut i është dashur që më parë të pijë /raki/ që peizazhet t`i shohë dhe t`i pikturojë më mirë. Me pyetni sa jetojnë dhe bashkudhëtojnë motivet me mua? Motivi është një element shumë periferik. Ai është vetëm një formë që ne e gjejmë. Një formë personale. Një figurë dhe ngjyrat brenda saj. Secili piktor gjen një formë të cilën e përdor derisa gjen një formë tjetër. Këto janë edhe fazat e zhvillimit të një piktori që dalëngadalë i lëshojnë vend njëra tjetrës. Unë për shembull, një motiv e bart edhe katër – pesë vjet, ngase motivi në njëfarë mënyre edhe është vulë e piktorit. Njeriu ndërron bashkë me kohën edhe fizikisht e edhe psikikisht, prandaj është tërësisht e natyrshme, se me kohë, ndryshon edhe krijimtaria e tij.

            – Si duket një ditë pune e Gjelosh Gjokajt që krijon sistem, mënyrë të punës, që krijon kondicion krijues?

            Paj gjithmonë, së pakut pesë – gjashtë orë në ditë punoj. Në atele shkoj herët. Me të gdhirë. E kam një të mirë se në mëngjes jam i kthjellët. I vë në lëvizje idetë. Ky “orar” pune zgjatë deri në orën 11. Pastaj fillon lodhja, fillon prishja. Atëherë fillon një “luftë” midis prishjes dhe goditjes. Kjo është shumë interesante, godit e prish, prish e godit derisa të vish në një pikë që shënon  përfundimin e kësaj loje.

            – Çdo të thotë, Gjelosh, të jesh piktor, krijues i lirë, në botën e Perëndimit? 

            Piktori i lirë është më i lirë. Vendi i piktorit është në studio (në atele). Me këtë dua të them se angazhimi në vend të ndryshme të punës /nëpër akademi, në institucione të ndryshme të arsimit dhe të kulturës e tjera/ dëmton, në masë të madhe, dëmton punën krijuese  të piktorëve në këtë rast por edhe të të gjithë krijuesve tjerë të njëmendët. Thashë edhe disa herë më parë se atje në “botën e perëndimit” sikurse thoni ju, shitja e grafikave më krijon mundësi për një jetë normale amatoriale. Grafika, sikurse e dini, është më komunikatave, prandaj edhe më shpejt shitet. Për vete (për shpirtin tim krijues) punoj piktura. Ajo është sidomos interesante deria punohet në të, derisa të rritet nën brushë, derisa e ke të varun në kavalet.

            – Në ekspozitën personale, sikurse më dendur po thuhet kohëve të fundit, sollët këtu në Prishtinë mjaft punime, grafika dhe piktura, të cilat morën vlerësimin e kritikës sonë të arteve figurative. Çfarë ne e kemi atë, dhe ju vetë, a arritët të shikoni pikturat dhe punimet e tjera të kolegëve tuaj që krijojnë këtu dhe, sipas mendimit tuaj, ku qëndron piktura kosovare në raport me ate që krijohet në Itali dhe në Gjermaninë Federale, po e zëmë? 

            Përkundër dëshirës së madhe brenda ditëve të qëndrimit në Prishtinë nuk arrita të shkoj në shumë atele të krijuesve figurativë në Prishtinë. Kjo nuk do të thotë se unë punën e artistëve figurativë kosovarë nuk e njoh. Shumicën e punimeve të krijuara deri sot kam pasur rastin t`i shoh nëpër ekspozita të ndryshme, qoftë kolektive apo vetjake. Vërej një dukuri interesante. Krijuesit tanë, kohë të gjatë, i ngelin besnikë një stili të punës, një mënyre të pikturimit, ndryshe prej piktorëve në botën e jashtme të cilëve, sakaq, u duhet të kalojnë prej një eksperimenti në tjetrin për t`i tejkaluar këto nivele sa më shpejtë. Në mesin e piktorëve tanë ka edhe të atillë që kishin për të ekzistuar dhe për të qëndruar në çdo mjedis evropian. Ky është mendimi im. Mendoj se piktorët në Kosovë nuk kanë kohë të mjaftueshme të merren me pikturën e vetëm me pikturim. Ata janë të angazhuar në shumë anë.

            – Kur themi (pyesim), ku qëndron piktura jonë në krahasim me atë evropiane, na vi ndërmend një mendim i Eliotit i cili thotë se “Tradita nuk mund të trashëgohet, nëse është e nevojshme, urdhëroni, zotërinjë, e mbërrini atë me angazhime të mëdha!” Është e kotë, prandaj, të flasim se na mungon tradita në këtë apo në atë tjetrën lëmë të krijimtarisë artistike. Çfarë mendoni Ju për këtë? 

            Është e vërtetë. Tradita krijohet. Për shembull ne nuk kemi pasur tradita të larta në pikturë. Piktura jonë është e re. Ka tridhjetë dyzet vjet. Ajo është zhvilluar në periudhën e pasluftës. Veçmas në Kosovë. Por kjo nuk do të thotë se edhe në këtë lëmi nuk kemi tradita që prekin edhe lashtësinë. Kjo mund të thuhet për traditën e përgjithshme shqiptare. Por unë mendoj në epokën e re dhe e kufizoj pikturën kosovare në një mënyrë.

            – Me tiparet e saj specifike? 

            Sigurisht. Përkundër të vërtetës se sikurse thashë edhe me parë, këtu është krijuar një atmosferë e mirë, se këtu ka piktorë shumë të mirë, mendoj se piktori përherë duhet të gjakojë për rrugë të gjata. Ngadalë ndonjëherë e të bredhë, të shtegtojë lart e më larg, të shohë sa më shumë ekspozita. Të freskohet. Të mbushet me fuqi dhe etje të re. Në Romë, fjala vjen, për një ditë, në një çast, në tridhjetë galeri hapen tridhjetë ekspozita të ndryshme. Ç`kënaqësi të shkosh t`i vizitosh së paku ato më të mirat.

            – Po për piktorët tanë të rinj që, në njëfarë mënyre shkojnë gjurmëve tuaja, keni ndonjë informacion, keni ndonjë njohuri?

            Po, njoh Fan Ferrin dhe Ismet Drançollin. Që të dytë jetojnë dhe krijojnë në Munih. Janë shumë të mirë sensibil dhe simbolikë. Me Daut Berishën që krijon në Paris, ja, tashti frik, kam biseduar me telefon. Ai me ngulm është duke ecur përpara. Edhe Milkel Gjokajt që vazhdon të jetojë dhe punojë në Romë mirë ia njoh punën. Për këta piktorë shumë shpejtë do të dihet edhe më shumë. Edhe më gjerë. Galeria e Arteve të Kosovës bën mirë të bëjë çmos që edhe opinionit të këtushëm artdashës t`i mundësojë të njohë dhe përjetojë artin e këtyre krijuesve të rinj të cilët pamëdyshje janë duke krijuar emër në arenën ndërkombëtare të arteve figurative. Mendoj se secili prej tyre do të ishte i gatshëm dhe se me gëzim do të ekspozonte në Prishtinë.

                                                ————————————  

Legjenda: Një foto pune e artistit të ndjerë

Gjelosh Gjokaj (25.07.1933 – 25.09.2016) ishte një artist i njohur nga Mali i Zi. Ai lindi në fshatin Milesh afër Tuzit . Pasi mori diplomën e arteve të bukura nga Akademia e Arteve në Beograd në 1963. ai vazhdoi të bëhej pjesë e fakultetit deri në vitin 1969 Prishtinë , Kosovë . Ai më vonë emigroi në Romë Itali ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1983. Ai ishte në gjendje të linte gjurmët e tij në mbarë botën me mbi 45 ekspozita solo ndërkombëtare dhe mbi 70 shfaqje grupore. Në 1983, ai e bëri Augsburg, Gjermani vendbanimin e tij kryesor deri në vdekjen e tij në 2016. [1] [2] Ai quhet “babai i arteve grafike të Kosovës”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

TË MJERËVE QË MOHOJNË VETËVETEN!

Hi(s)ja e palëshuar e Diellit…