Nga Sherif Ramabaja
Shkëlqesia e juaj zoti Putin kryetari i Rusisë !
Në këtë rast nuk po iu drejtohem me rastin e burgosjes së Nawalnyt dhe kushteve të tij në burg, sepse konsideroi se kjo është çështje e juaj personale dhe e brendshme e shtetit tuaj.
Nuk dua të kundërshtoi as pushtimin e Krimesë nga ju, as konfliktin në Ukrainën Lindore, që akuzoheni se ju qëndroni prapa tij.
Nuk do të merrem as me konfliktin në Siri ku ju e mbroni dhe e mbani në pushtet diktatorin Asad.
Nuk dua të merrem as me akuzat ndaj jush, për sulme kibernetike në Bundestagun Gjerman, përfshirjen kibernetike të mediave sociale në zgjedhjet amerikane, apo përkrahjen dhe ndihmën që i afroni Koresë Veriore dhe Iranit.
Nuk më interesojnë as përpjekjet që i bëni në minimin dhe shkatërrimin e EU, shkeljen e të drejtave të njeriut në shtetin tuaj, apo mbajtjen me dhunë në pushtet të diktatorit Lukashenko.
Fare nuk më interesojnë as akuzat e fundit të EU ndaj jush, se ju qëllimisht e shkaktuat krizën e eksplodimit të çmimeve energjetike në Evropë, duke e sabotuar EU me furnizimin e gazit për ngrohje, me të vetmin qëllim që ju evropianët t´i bëni të varur nga ju.
Për këtë SHBA flisnin me të madhe kur ishte në pyetje tubacioni Nord Streem 2., po zonja Merkell fare si ia vënte veshin.
Nuk do të merrem as me akuzat që u publikuan këto ditë se ju, i keni vjedhur të dhënat nga Astra Zeneka për vaksinën e juaj Sputnik kundër Koronës.
Zoti president, unë nuk nisem as nga ajo se ju e përkrahni Serbinë, Turqinë dhe shtetet arabe që ta mbushni Kosovën me xhami, apo se Serbia mbi 90% e kontrollon klerin musliman, i cili punon për interesat e saj.
Të gjitha këto do t´i lë anash i nderuari president Putin, sepse unë nuk merrem me gjëra të tilla globale.
Preokupimi im kryesor është që të më ndihmoni dhe përkrahni që presidentin e vendit tim zotin Thaçi, sa ma parë ta lironi nga Haga dhe të emërohet në pozitën që e kishte, si president i Kosovës.
Unë po i ceku shkurtimisht vetëm disa arsye : prej se zoti Kurti është emëruar Kryeministër i Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë kanë arritur në gjendje kritike, për të mos thënë alarmante.
Derisa kryetarin Thaçi e kishim në Kosovë gjendja ishte stabile. Ai nuk e provokonte Serbinë. Nuk ua vënte veshin dhe shpesh e mbyllte njërin sy, para veprimeve dhe deklaratave të Vuçiqit e Daçiqit.
Nuk kishim reciprocitete e as taksa 100 %, prandaj as nuk ankohej askush. Bisedimet rridhnjin në suaza normale dhe EU përpiqej të gjente zgjidhje duke mos e poshtërsuar Serbinë, siç e thot këtë rregullisht Vuçiq.
Me ardhjen e Kurtit në pushtet gjërat në mënyrë drastike kanë ndryshuar dhe kanë marr kahje alarmante. Ju e patë se ç´bëri këto ditë për dy teneqe të automjeteve. Ishim në prag të shpërthimit të luftës, sepse Vuçiq u nis drejt Kosovës me tërë arsenalin luftarak.
Ju po ashtu e dini se Kurti gjatë kohës së masave të pandemisë ishte i gatshëm të bënte atentat shtetëror ndaj meje, vetëm se kërkoja që me aeroplanin tim të aterroja në Prishtinë.
Ky është vetëm fillimi sepse ai është i paparashikueshëm, se çka do të ndërmerr në të ardhmen ndaj Serbisë.
Duke e parë rrezikun e shpërthimit të një konflikti të ri, që ju me siguri jeni kundër zoti president Putin, unë e vizitova presidentin Thaçi në Hagë.
Unë ju kisha lutur që ta përdorni autoritetin tuaj dhe ta lironi zotin Thaçi nga Haga, në mënyrë që t´i vazhdoi përpjekjet me Vuçiqin dhe Daçiqin, për zgjidhjen e problemit të Kosovës ashtu siç ata i kishin planet.
Në të kundërtën droj se gjendja do të eskaloj dhe do të jetë shumë vonë për një zgjidhje politike, sepse Kurtit i mungon eksperienca në politikë.
Duke ju përshëndetur zoti president Putin, unë mbes me shpresë se ju do t´i merrni në konsideratë lutjet e mia.
Ish Kryetari dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës nën qeverisjen e Thaçit, zoti Behxhet Pacolli.
Shkrim i botuar në Mars – Rover
Loading…