“Por pavarësisht rezultatit, shqiptarët duhet të kenë besim se ende kemi miq në Uashington, pavarësisht a fiton Joe Biden apo Donald Trump. Siç e dini ka qenë gjithmonë politikë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane që të punojë si me demokratët ashtu edhe me republikanët. Pra, ne nuk e bëjmë këtë në baza ideologjike, sepse jemi një lobi dypartiakësh”, tha DioGuardi.
Por ai ka shprehur mbështetjen e tij publike për kandidatin demokrat.
“Unë jam një republikan i regjistruar, por së fundi unë dola publikisht që do të votoj për Joe Biden. E bëra këtë sepse mendoj se është me rëndësi, sidomos për popullin shqiptar që të kuptojë se kemi histori të gjatë me Joe Biden, duke filluar nga koha kur unë isha kongresist në vitet ‘80”, theksoi ai në emisionin ‘Prime Time’ në Kanal10.
DioGuardi mendon se me ardhjen e Biden në krye të SHBA-së, shqiptarët mund të fitojnë disa përparësi.
“Ai ka bërë udhëtime në Kosovë dhe ka bërë shumë punë të mirë, dhe besoj që na duhet të shpresojmë që ai të bëhet president, sepse atëherë mund të kemi më shumë përparësi”, shpjegoi ai.
Ai është i bindur se shumica e shqiptarëve përkrahin Bidenin.
“Nuk kam asnjë dyshim, edhe nga ajo që shoh në media, e di që shumica e shqiptarëve do të votojnë për Joe Bidenin. Sepse e dinë se çfarë ka bërë ai edhe para se të bëhej zëvendëspresident”, theksoi ai.