Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të japë ndonjë koment të drejtpërdrejtë lidhur me deklaratat e djeshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se në të ardhmen mund të ketë një konflikt Kosovë-Serbi njësoj siç po ndodh në Karabak mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Brukseli në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin që të kontribuojnë në stabilitet.
Krerët më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se një “konflikt i ngrirë” mes Kosovës dhe Serbisë mund të eskalojë njësoj siç ka ndodhur mes Azerbejxhanit dhe Armenisë. Një krahasim i tillë i Vuçiqit nga Prishtina zyrtare është parë si një kërcenim me luftë për rajonin.
Lidhur me deklaratat e kreut të shtetit serb, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Brukselit zyrtar. Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se Bashkimi Evropian në mënyrë të vazhdueshme u ka bërë thirrje liderëve politikë në Serbi dhe Kosovë që të kontribuojnë në një atmosferë që është në favor të stabilitetit të rajonit.
Ndërsa, ai s’ka pranuar të japë ndonjë koment të drejtpërdrejtë lidhur me ato që ka thënë presidenti serb rreth “konfliktit të ngrirë” Kosovë-Serbi dhe paralajmërimeve për eskalim të mundshëm të situatës.
“Ne nuk i komentojmë për raportime të medieve apo deklaratat e të tjerëve kur interpretojnë qëndrimet e të tjerëve. Si parim, ne gjithmonë kemi bërë thirrje për aktorët politikë në Serbi, në Kosovë dhe në gjithë regjionin, që të promovojnë një atmosferë të favorshme për stabilitet dhe bashkëpunim”, ka thënë Stano.