Murgesha, meshtarë e deri kardinalë, muhibë, dervishë e shehë, hoxhë, myfti e kryegjysh të bektashinjve. Gjurmë të hebrenjve e yllit të Davidit, kryqe e minare, një shesh me besimtarë që i falen Allahut në ditë Bajrami. Imazhi kryelartë i Hafiz Ali Korçës, një frat françeskan i vrarë në komunizëm, “Zoti në Shqipëri”, një ese fotografike nga Jutta Benzenberg risjell në vëmendje qasjen e shqiptarëve për religjionet. Në kuadër të Tetorit Gjerman, ndikuar nga kushtet e pandemisë së COVID-19, ekspozita u shfaq online. Pyetja që shtrohet është se, si mund të arrihet bashkëjetesa paqësore e besimeve të ndryshme fetare? Cilat janë të përbashkëtat dhe dallimet mes feve, që shfaqen në jetën e përditshme? Fotografja Jutta Benzenberg ka ndjekur këto çështje muajt e fundit në të gjithë Shqipërinë. Ajo fotografon Ballkanin dhe njerëzit e tij që prej vitit 1991 dhe me njohuritë e saj rreth vendit na mundëson të shohim thellë brenda kësaj teme.Siç vihet re në materialin shpërndarë mediave, Benzenberg ka mundur të fiksojë shumë momente dhe takime interesante në një vend, ku gjatë regjimit represiv komunist, për dekada të tëra, fenë mund ta ushtroje vetëm në fshehtësi. Njerëzit përndiqeshin për shkak të besimit fetar. Pas fundit të socializmit në fillim të viteve ‘90, shumë shqiptarë iu rikthyen rrënjëve të tyre fetare. Por si ndikon edhe sot kjo e kaluar e tmerrshme? Fotografitë e Jutta Benzenberg i kushtohen edhe këtij kapitulli të historisë shqiptare të besimeve fetare në një mënyrë mbresëlënëse.Projekti fotografik dhe ekspozues i Jutta Benzenberg plotësohet nga kategorizimet e historianit zviceran për Evropën Juglindore, Oliver Jens Shmit. Të dy së bashku ata japin mundësinë për të parë brenda jetesës gjerësisht joproblematike të besimeve të ndryshme fetare me dhe pranë njëra-tjetrës. Dhe në rastin më të mirë, projekti synon të jetë edhe një përgjigje për pyetjen, se si toleranca dhe bashkëjetesa paqësore janë të mundura edhe përtej kufijve shqiptarë. Projekti financohet nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme.(GSh)