Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë folur në një konferencë shtypi edhe lidhur me numrin e madh të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi.
Zemaj është shprehur përveç të tjerash se qytetarët duhet të tregojnë kulturë më të lartë qytetare për të zbatuar masat e të caktuara të Qeverisë lidhur me COVID-19.
Ministri Zemaj ka shtuar se vlerësimin e situatës me koronavirus e bëjnë në baza ditore dhe javore për të gjitha komunat dhe do të shihet nëse do të ketë kufizime të reja.
“Vlerësimi bëhet në baza ditore, e kemi vlerësimin javor në vendim nga instituti dhe nga bordi këshillëdhënës, në bazë të atyre vlerësimeve ne do të shohim edhe vlerësimin e mëtutjeshëm të masave. Qyteti i Gjilanit është zonë e kuqe është Kamenica, Vitia dhe do shihet nëse do të ketë kufizime të reja”, ka shtuar ministri i Shëndetësisë
Sipas tij, numrat janë alarmantë dhe duhet ndryshuar qasja ndaj pandemisë, sepse Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë gjithçka për ta mundur virusin, por edhe qytetarët duhet të ndihmojnë në këtë drejtim.
“Numrat janë alarmantë. Për ta ndryshuar gjendjen, duhet ndryshuar sjelljen dhe dinamikën. Qeveria dhe ministri e Shëndetësisë po bën gjithçka që është e mundur t’i bëj ballë virusit. Kemi ngritur të gjitha kapacitetet e mundshme. Iu bën thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e Qeverisë, të na ndihmojnë neve dhe të gjithëve”, ka deklaruar Zemaj.