Ish-Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka folur sot në lidhje me dështimin e Qeverisë Kurti në sigurimin e vaksinave “Pfizer”.
Sipas Zemajt, 15 prilli ka qenë afati i fundit i ardhjes së vaksinës “Pfizer’’, po meqenëse ai afat ka kaluar dhe ende nuk është nënshkruar kontrata, atëherë ministri Vitia duhet të dalë para qytetarëve dhe të japë një shpjegim .
“Këtë përgjigje duhet ta japë ministri ose kryeministri i Republikës së Kosovës. Këta të dy janë njerëzit më kompetentë dhe më përgjegjës që duhet të deklarojnë se çka ka ndodhur me nënshkrimin apo mosnënshkrimin”, tha Zemaj në ATV.
“Po të kishte kontratë të nënshkruar ata do ta merrnin tupanin,po e them në gjuhën popullore, siç u munduan ta marrin Aeroportin e Prishtinës, për një punë të cilën e kishin kryer një ekip prej dhjetë vetëve dhe të cilët kishin punuar nga data 3 korrik deri në ditën e ardhjes së vaksinave“, u shpreh ai.