in

Ipeshkvi Dodë Gjergji reagon pas sulmit në një xhami në Tiranë

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, i ka dërguar një letër solidariteti kryetarit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, pas rastit të sotëm ku një person theri me thikë pesë persona në xhaminë e Tiranës.

Gjergji ka thënë se aktet e tilla të dhunës dhe kërcënimi i jetëve të njerëzve nuk duhet të ndodhin në asnjë realitet të shoqërisë sonë, e aq më pak në vendet e kultit dhe në muajin e Ramazanit.

Letra e plotë e imzot Dodë Gjergjit:

Me hidhërim dhe me pikëllim të thellë mora lajmin për ngjarjen e shëmtuar që sot ka ndodhur në Xhaminë e rrugës së Kavajës, në kryeqytetin e Shqipërisë, ku pesë besimtarë të Bashkësisë Tuaj mbetën të plagosur.

Jam i bindur që personi, i cili e ka shkaktuar këtë tragjedi, do të merr përgjigjen e merituar para organeve të drejtësisë në Shqipëri, por edhe personalisht, dëshiroj të gjykoj këtë akt të papranueshëm për gjithë ne shqiptarët, pa marrë parasysh cilit besim i takojmë. Aktet e tilla dhune dhe kërcënimi të jetëve të njerëzve nuk duhet të ndodhin në asnjë realitet të shoqërisë sonë, e aq më pak në vendet e kultit dhe në muajin e Ramazanit.

Këndej, shpreh solidaritetin me Bashkësinë Tuaj, si dhe me familjet e të plagosurve. Njëkohësisht, me gjithë besimtarët katolikë në Kosovë, lus Zotin për shërimin sa më të shpejt të tyre.

Shfrytëzoj rastin që t’Ju uroj agjërim të lehtë gjatë këtij muaji të Ramazanit!

Dodë Gjergji,

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë

Lini një Përgjigje

Gjyqtari refuzon kërkesën e mbrojtjes së Veselit

Zemaj: 15 prilli ishte afati i fundit për ardhjen e vaksinës “Pfitzer”