Ka ndodhur sot, rreth orës 14:00, një përleshje ndërmjet aktivistëve të LDK-së dhe atyre të VV-së te zyrat e VV-së në qytetin e Podujevës.
Lidhur me këtë incident ka reaguar Dega e VV-së në Podujevë, duke e akuzuar ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, dhe aktivistët të LDK-së, të cilët, sipas reagimit, ishin mbledhur përpara zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdimisht i provokuan aktivistët e VV-së.
Reagimi Degës së VV-së:
“Sot, rreth orës 14:00, para zyreve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit. Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyreve të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimishtë aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kamermanit të organizatës sonë”, thuhet në reagim e Degës së VV-së Podujevë.