Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe ish-kandidatja për kryeministre nga LDK në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani, ka komentuar iniciativën e saj të re dhe njerëzit që pritet t’i bashkohen.
“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur”, tha Osmani.
“Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve”, tha tutje Osmani.
Ajo ka folur edhe për ftesën e Lutfi Hazirit për t’u kthyer në LDK.
“Nuk ka qenë thirrje e drejtpërdrejtë e Lutfi Hazirit me u kthy në LDK. Ma ka ‘sjell’ ngapak, por jo aq drejtpërdrejtë, por unë kam raporte të mira me të. Nuk e kam ftuar në iniciativën time Lutfi Hazirin sepse ai ka qenë i qartë qysh nga fillimi”, tha ajo.
“Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijmë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, shtoi Osmani e pyetur nga gazetarja Jeta Xharra nëse do të kthehej në LDK nëse largohet kryesia e kësaj partie.
Vjosa Osmani në debatin “KALLXO Pernime” ka folur edhe për takimet që ajo ka zhvilluar lidhur me bashkëpunimin politik në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në debatin KALLXO Përnime ajo tregoi se është takuar me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë deri më tani kam diskutuar vetëm me zotëri Kurti. Jemi takuar kohë pas kohe. Deri tani kemi diskutuar vetëm për vullnetin për bashkëpunim, të diskutojmë për tema, prioritetet”, ka thënë Osmani përballë Jeta Xharrës.