in

Trump paralajmërohet kundër përfshirjes së ushtrisë në transferimin e pushtetit

Dhjetë ish-sekretarë amerikanë të Mbrojtjes kërkuan nga Pentagoni që të angazhohet në një tranzicion paqësor të pushtetit në SHBA dhe paralajmëruan për rreziqet e përfshirjes së ushtrisë amerikane në tranzicion.

Ish-shefat e Pentagonit, përfshirë dy të emëruar nga presidenti në largim, Donald Trump, i bënë komentet në një artikull të botuar në gazetën Washington Post.

Zgjedhjet në SHBA dhe transferimi paqësor i pushtetit “janë shenja dalluese të demokracisë sonë”, thanë ata dhe i bënë thirrje shefit aktual të Pentagonit, Christopher Miller, që të përmbahet nga luajtja e ndonjë roli në përpjekjet e Trumpit për të mbetur president.

“Përpjekjet për të përfshirë forcat e armatosura të SHBA-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, do të na çonin në një territor të rrezikshëm, të paligjshëm dhe antikushtetues”, shkruan ata, duke shtuar se zyrtarët që kanë kërkuar ta bëjnë këtë, mund të përballen me pasoja të rënda profesionale dhe kriminale.

Shkrimi iu atribuohet dhjetë ish-sekretarëve amerikanë të Mbrojtjes: Ashton Carter, Leon Panetta, William Perry, Dick Cheney, Donald Rumsfeld, William Cohen, Robert Gates, Chuck Hagel, James Mattis dhe Mark Esper. Mattis dhe Esper janë emëruar nga Trump.

Ata thanë se tranzicionet e pushtetit shpesh mund të jenë një moment kur kombi është i cenueshëm ndaj “veprimeve të kundërshtarëve, që përpiqen të përfitojnë” nga pasiguritë në lidhje me sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Duke i pasur parasysh këta faktorë, sidomos në kohën kur forcat amerikane janë të angazhuara në operacione aktive në të gjithë botën, është më se e domosdoshme që tranzicioni në Departamentin e Mbrojtjes të kryhet plotësisht, në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente”, thanë ish-sekretarët.

Ata shtuan se koha për të vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit ka kaluar dhe kujtuan se së shpejti do të bëhet numërimi zyrtar i votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi i ri.

“Zgjedhjet janë zhvilluar. Numërimet dhe auditimet janë kryer. Sfidat e duhura janë adresuar nga gjykatat. Guvernatorët kanë vërtetuar rezultatet. Dhe, Kolegji Zgjedhor ka votuar”, thanë ish-shefat e Pentagonit.

Lini një Përgjigje

Mërgimtarët kosovarë kthehen masivisht në Zvicër

Kosovë, 7 të vdekur dhe 169 raste me COVID-19