Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje posa iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale, sot pati seancën e parë. Ish-presidenti i Kosovës u njoh edhe njëherë me të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat pati këtë vetëdeklarim.
“I nderuari gjykatës, akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, tha Thaçi.
Kjo do të ishte fjalia e vetme që do të prononcohej në sallë, pasi kishte vendosur që të përfaqësohej plotësisht nga avokati mbrojtës, David Hooper. Ky i fundit pati kritika dhe akuza të ashpra ndaj Gjykatës Speciale, kryesisht për trajtimin që i është bërë Thaçit dhe për aktakuzën e ngritur kundër klientit të tij. Hooper përsëriti disa herë pretendimet, të cilat u bën shkas që Prokuroria dhe Gjykata Speciale të ngrihej.
“Ku janë këto pretendime për vjedhje të organeve njerëzore dhe historia e shtëpisë së verdhë e cila ishte kaq e rëndësishme në nxitjen për krijimin e kësaj gjykate. Duke ndjekur atë gjysmë pretendimi dramatik në librin e Carla Del Pontes dhe që u ndoq pastaj nga Dic Marty. Jo që është vetëm njollë ndaj kosovarëve, por edhe pretendimi që krijoi këtë gjykatë të Kosovës. E them Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova, nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Thaçi i dinte që ishin këto pretendime gjepura, duke e ditur këtë ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin ne kësaj gjykate”, tha David Hooper, avokat i Hashim Thaçit.
Avokati kërkoi që Thaçi të ndiqej në gjendje të lirë si përpjekje për të çuar në vend reputacionin e ish-presidentit.
“Më duhet të them që isha i çuditur kur u futa në këtë dhomë dhe e shoh të lidhur me pranga, është për të ardhur trup. Ju nuk jeni organ ndëshkimi, besoj që është kështu, besoj që do të bëni diçka për ta trajtuar këtë dhe mos e ulni dinjitetin e një personi deri në një pikë të tillë”.
Më pas, lexoi për sallën edhe pjesë nga libri për Hashim Thaçin, ndër të tjera edhe fjalitë e Bobe Dole, dhe ka cituar fjalët e Joe Biden, shkruan a2news.com.
“Sipas një citimi thuhet: ‘Hashim Thaçi është Xhorxh Uashintoni i Kosovës’, këtë e ka thënë Joe Biden, zv president amerikan në 2017 dhe kandidat për president”.
Gjithashtu, pala mbrojtëse refuzoi akuzën për ndërhyrje në punët dhe hetimet e Prokurorisë Speciale.