Mbledhja e 244-të e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) u përshkua me shumë tensione e diskutime lidhur me dy pikat e rendit të ditës që kanë të bëjnë me rekomandimet për caktimin e gjyqtarëve në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës së Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, si dhe rekomandimet për caktimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit.
Avni Mehmeti, anëtari nga Gjykata e Mitrovicës, ka ngritur shqetësimin e tij për jotransparencën e Këshillit.
Mehmeti dhe anëtari tjetër i KGjK-së nga Gjykata e Apelit, Driton Muharremi, kërkuan nga kryesuesi i KGjK-së që të jetë më i hapur dhe transparent me anëtarët e Këshillit, duke kërkuar nga ai që t’u ofrojë qasje të plotë në informacione si dhe në dokumentacione lidhur me punën e institucionit.
Fillimisht gjyqtari Avni Mehmeti kërkoi nga kryesuesi i KGjK-së që t’i hiqte nga rendi i ditës dy pikat që kishin të bënin me rekomandimet për caktimin e gjyqtarëve në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës së Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës si dhe rekomandimet për caktimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, me arsyetimin se anëtarët e KGjK-së nuk i kanë pranuar dosjet e gjyqtarëve që pritet të rekomandoheshin në këto departamente.
“Unë kërkoj që këto dy pika të rendit të ditës, të hiqen nga rendi i ditës. Jeni të obliguar që të na e dërgoni materialin, keni obligim sipas rregullores të na dërgoni raportin me gjithë dosjen. Nëse vazhdoni procesi është i kundërligjshëm kryesues, hiqe prej rendit të ditës, ana dosjet dhe jemi në rregull”, deklaroi Mehmeti.
Lidhur me kundërshtimin e Mehmetit, kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, tha se asnjë dispozitë ligjore nuk është shkelur për çka nuk pranoi që këto dy pika te hiqeshin nga rendi i ditës.
Lidhur me miratimin e rendit të ditës votuan të gjithë anëtarët e KGjK-së të pranishëm në mbledhje, përpos Avni Mehmetit i cili e kundërshtoi miratimin e rendit të ditës pa heqjen e këtyre dy pikave.
Pas miratimit të rendit të ditës takimi u mbajt me dyer të mbyllura, me ç’rast u caktuan gjyqtarët që do të shërbejnë në Departamentin Special si dhe në Gjykatën e Apelit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët: Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani.
Ndërsa për Gjykatën e Apelit – Departamenti Special, janë caktuar: Afërdita Bytyçi, Bashkim Hyseni dhe Tomislav Petroviq.
E meqë kryetarët e gjykatave Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni tanimë janë caktuar në Departamentin Special, Këshilli ka caktuar gjyqtarin Arben Hoti, U.D. i kryetarit të Gjykatës së Prishtinës si dhe gjyqtarin Sahit Krasniqi, U.D. i kryetarit në Gjykatën e Ferizajt.
Për Gjykatën e Apelit janë caktuar gjyqtarët: Zyhdi Haziqi, Beqir Kalludra dhe Azra Cakolli.
Të gjithë këta gjyqtarë do të fillojnë punën më 1 janar 2021.
Në diskutimin e mëtejmë të mbledhjes edhe gjyqtari Driton Muharremi kërkoi nga kryesuesi i KGjK-së që të jetë më transparent me të gjithë anëtarët e KGjK-së.
Ai ngriti shqetësimin e tij për mosinformimin lidhur me dekretimin nga presidenca të një numri të gjyqtarëve. Lidhur me këtë deklaroi se tash e një kohë të njëjtit nuk janë dekretuar nga Presidenca, dhe për arsyen e mosdekretimit anëtarët e Këshillit nuk janë të informuar.
Lidhur me çka përgjigja e kryesuesit ishte se arsyeja e mosdekretimit të deritashëm nuk është shqetësuese përpos faktit që Presidenca ka kërkuar edhe disa informacione të tjera shtesë.
Më tej mbledhja vazhdoi me pikat e tjera të rendit të ditës.
Anëtarët e KGjK-së aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e një (1) gjyqtari në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe morën vendim për hyrjen në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve për vitin 2021.
Gjatë këtij takimi u shqyrtua edhe kërkesa e kryetarit të Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, lidhur me kthimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës së Pejës, e cila është transferuar përkohësisht në Gjykatën e Prishtinës lidhur me çka Këshilli tha se do të vendosë pasi që të pranojë edhe pëlqimin/mendimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj për këtë çështje./kallo.com/