Të paktën 20 migrantë afrikanë vdiqën kur anija e tyre u fundos pranë Tunizisë të enjten ndërsa u përpoqën të kalonin Mesdheun për në ishullin Lampedusa të Italisë, tha një zyrtar i sigurisë tuniziane. Rojet bregdetare shpëtuan pesë persona dhe po kërkojnë edhe afërsisht 20 të tjerë që ende mungojnë, tha ky zyrtar.
“Anija u mbyt rreth gjashtë milje larg bregut të Sfax-it. Njëzet trupa u gjetën, pesë të tjerë u shpëtuan e që të gjithë janë nga Afrika sub-Sahariane,” tha zyrtari i sigurisë, Ali Ayari.
Rreth 45 njerëz ishin në anije kur ajo u mbyt, shtoi ai.
Vija bregdetare afër qytetit port Tunizian të Sfax-it është bërë një pikë kryesore migrimi për njerëzit që janë duke ikur nga konflikti dhe varfëria në Afrikë e në Lindjen e Mesme dhe që janë në kërkim të një jete më të mirë në Evropë.
Disa shtete, përfshirë Italinë dhe Maltën kanë parë një rritje të mbërritjeve përmes detit këtë vit nga Tunizia – ku papunësia e lartë dhe kushtet e pasigurta socio-ekonomike kanë nxitur migrimin – dhe nga Libia, ku konflikti dhe lufta ishin një faktor kryesor, sipas shifrave nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët nga Kombet e Bashkuara (UNHCR).

Pandemia e koronavirusit ka përkeqësuar gjendjen e migrantëve.
1,111 migrantë janë zhdukur në Mesdhe gjatë vitit 2020, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Muajin e kaluar, të paktën 74 migrantë vdiqën në një mbytje të anijes në brigjet e Khums, Libi, me fëmijë në mesin e të vdekurve.
Sipas IOM anija u raportua të mbante mbi 120 njerëz, mes tyre gra dhe fëmijë. Në tetor, të paktën 140 migrantë u mbytën në brigjet e Senegalit në atë që ONM-së e përshkroi si mbytjen më vdekjeprurëse të këtij viti.
Kjo organizatë gjithashtu deklaroi se vdekjet në lidhje me migracionin shpesh raportohen dhe nuk regjistrohen, dhe se pandemia e ka bërë edhe më të vështirë mbledhjen e këtyre të dhënave. CNN