Megan Pollitt, një 18-vjeçare nga Rugby në Warwickshire, u shemb në sallën e universitetit të saj, duke vdekur katër ditë më vonë në spital. Vajza adoleshente që u tha se ishte plot “ëndrra dhe aspirata” ka vdekur pasi ka marrë ketaminë në universitet. Ka shqetësime se kjo drogë po popullarizohet mes studentëve si ‘drogë ahengjesh’.
Studentja e drejtësisë me një “buzëqeshje të bukur e të ndritshme” ishte zhvendosur 140 milje larg shtëpisë së saj për të filluar një jetë të re në Universitetin e Cardif. Mirëpo pas shembjes fillestare, ajo vdiq tragjikisht katër ditë më vonë në spital, duke lënë pas një familje të shkatërruar nga dhimbja.
Vitin e kaluar, Shëndeti Publik i Anglisë, shprehu shqetësim se të rinjtë po përdorin këtë drogë e cila përdorimin origjinal e ka si qetësues i kalit, gjithnjë e më shpesh nëpër ahengje. Ekspertët paralajmëruan se shumë të rinj nuk janë në dijeni të rreziqeve shëndetësore si dëmtimi i fshikëzës, derisa po bëhet me shpejtësi droga më e popullarizuar për party, pas ekstazisë e kokainës. Shifrat e Ministrisë së Brendshme treguan se në 2018, megjithëse konfiskimet e drogave nga policia kishin rënë, numri i konfiskimeve të ketaminës ishte rritur me 30 përqind.Sondazhi i qeverisë për krime në Angli dhe Uells zbuloi se përqindja e 16 deri në 24-vjeçarëve që përdorin këtë drogë, është rritur në 3.1 përqind në të njëjtin vit, më e larta që nga fillimi i regjistrimeve të përdorimit të ketaminës.
Familja e zonjës Pollitt nga Rugby në Warwickshire, e nderoi atë duke thënë: “Meg ia kushtoi kohën të gjithëve përreth saj dhe ishte gjithmonë aty për të tjerët. Ajo kohët e fundit kishte filluar studimet për juridik në Cardiff dhe ishte plot ëndrra dhe aspirata. Meg ende gëzonte kontakte të ngushta me familjen dhe miqtë, duke ndarë histori dhe të qeshura përmes vizitave dhe thirrjeve.
“Do të na mungojë buzëqeshja e saj e bukur e ndritshme dhe energjia pozitive që do të ngritnin disponimin e kujtdo. Meg e donte natyrën, veçanërisht shëtitjet me babanë dhe qenin e saj. Ajo së fundmi ishte ngjitur në Snowdon dhe kishte arritur në majë. Meg gjithashtu pëlqente të lexonte klasikët, të shikonte filma vizatimor Anime, të dëgjonte muzikë si dhe të mbështeste ekipin e ragbisë Wasps. Meg do të na mungojë dhe përgjithmonë do ta ketë dashurinë e mamasë, babait, motrave, gjyshërve dhe miqve të saj.”
Studentët e Universitetit Bristol tashmë janë paralajmëruar se një prerje potencialisht e rrezikshme e ketaminës mund të jetë në qarkullim rreth asaj zone. Në një deklaratë, policia tha: “Përdoruesve të drogave të kontrolluara iu rikujtohet edhe një herë se duhet të jenë të vetëdijshëm se kurrë nuk mund të jenë 100 për qind të sigurt se çfarë saktësisht janë duke marrë. Këto droga janë të paligjshme dhe ekziston çdo mundësi që ato të përmbajnë një koktej me përbërës toksikë”
Kjo tragjedi pason vdekjen e katër të rinjve në Newcastle ku dyshohej se përfshiheshin ketamina dhe MDMA.
Kryeinspektori detektiv Tom Moore, tha: “Dy familje kanë mbetur të shkatërruara nga këto ngjarje tragjike gjatë fundjavës dhe ato po mbështeten nga oficerët ndërsa ne vazhdojmë me hetimet tona.” The Telegraph