in

Ekskluzive: Dy teste Covid në javë që të pajiseni me “Pasaportën e Lirisë”

Britania e Madhe është duke zhvilluar një skemë që do t’i lejonte njerëzit të pajisen me “Pasaportën e Lirisë” për sa kohë që ata kanë dy teste negative të koronavirusit në javë, sipas një plani për ta kthyer vendin në normalitet vitin e ardhshëm.

Skema do t’i lejonte njerëzit të bënin një jetë sa më normale që është e mundur, ndërsa fillon programi i qeverisë britanike për vaksinimin e popullatës. 

Njerëzve që zbulohet se janë pa Covid do t’u jepej një kartë, një letër ose dokument që mund të ruhet në telefonin e tyre për të treguar se mund të lëvizin. Megjithatë ata duhet të testohen rregullisht për të siguruar që kualifikohen për çertifikata.

Një “Pasaportë e Lirisë” do ta ndihmonte kombin të kthehej në një jetë më normale, pa rregulla dhe kufizime të distancimit shoqëror duke i lejuar ata “të dalin, të blejnë nëpër dyqane dhe të shkojnë në punë” nëse testohen negativisht.

Qeveria do të duhet të kryejë miliona teste në ditë që kjo skemë të funksionojë.

Britania e Madhe ka bërë përparim të qëndrueshëm deri më tani, duke arritur me sukses synimin e saj për të kryer 500,000 teste koronavirus në ditë në të gjithë vendin. 

Një raport në Revistën Mjekësore Britanike në shtator kumton se qeveria britanike shpreson të kryej deri në 10 milion teste Covid-19 në ditë. Ky cak synohet të arrihet deri në fillim të vitit të ardhshëm, si pjesë e një zgjerimi prej 100 miliardë £ të programit të saj kombëtar të testimit.

Nëse arrihet, programi do të lejojë testimin e të gjithë popullsisë brenda javës. 

Një skemë e ngjashme me pasaportat e lirisë u diskutua për herë të parë në prill kur ministrat u tha se po shikonin lëshimin e çertifikatave të imunitetit për njerëzit që kanë zhvilluar rezistencë ndaj koronavirusit.

Mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi qeveritë kundër lëshimit të “pasaportave të imunitetit” për njerëzit që janë infektuar pasi saktësia e tyre nuk mund të garantohej.

OBSH tha që lëshimi i çertifikatave mund të frymëzojë besim të rremë dhe të rrisë rrezikun e përhapjes së virusit. Njerëzit që janë shëruar mund të injorojnë këshillat për marrjen e masave paraprake kundër virusit.  The Telegraph

Lini një Përgjigje

Një video misterioze tregon detaje të sulmit terrorist nga Kujtim Fejzullahu

Studentja adoleshente vdes pasi mori ketaminë ‘drogën e party-ve’