in

Skicë për ese: Si të kthehet mendimi në – f j a l ë?

Tek po ecja (notoja) faqeve të fundit të një romani të çmuar “Libri i iluzioneve” dhe, po i afrohesha bregut të atij lumi vërshues, atij deti plotë valë, a edhe më gjanë, atij oqeani plotë dallgë, si shumë herë më përpara në atë parakalim e shoqërim, kangjelja e karremit, me më forcë ndalet në faqen 305, ne rreshtin e shtatë a të tetë… 

                                              ——————                           

Nga Bajram Sefaj

 “Mendimin nuk e ktheva në fjalë” –  shënonte aty!

Nuk e di çfarë ndodhi e si ndodhi, por, aty për aty, shpejt, si për ngut, nënvizoj atë mendim që,  zor se do ta kthej në f j a l ë!

Ndërpres leximin bash sikur në karrem të me ishte kapur peshku i artë, apo një gjëkafshë tjetër, akoma më e shtrenjtë!

*

Jo, po njëmend, moti kohë, jo vetëm ç’prej se ushtroj zejen e (zezë) të shkrimit, por, ndoshta edhe shumë më herët,  me mundon e rëndon, me grinë krejt, pyetja e zhurmshme e zeher që vlon në heshtjen time: a thua e kanë edhe të tjerët të njëjtin këtë problem që e kam unë:: mendimin ta kthejnë në fjalë!

Përnjëherë përpara me shfaqet ai “urithi” çamarrok (anonim) që akoma pa i mësuar mirë germat  e alfabetit, ndrydh një copë letër në gashtën e gjurit njomak, kur i pikë në mendje (mendimi) të shkruaj një tufë të vockël vargjesh kushtuar nënës, gjyshit, mësueses (që akoma emri nuk i a ka zënë!), trumcakut që, në dimër të art, ngrinë së ftohti mbi gardh, apo ndoshta luleve të para pranverore në qilimin e luadhit në katund…

Përpara vështrimit tim të ngrysur shpërthejnë, madje dy skena përnjëherë, në duel për prioritet: cila të kallëzohet e para!

E para, është e para, nga se është reale, e përjetuar, origjinale…

E dyta është e dytë nga se është e pa parë, është e imagjinare, nuk është reale… e kur është kështu, si mund të jetë origjinale, pos e stisur fund e maje!!!

Si sot me kujtohen ditët e shërbimit ushtarak. Në pasditet e lira, kur mërzia (zia) për prindër dhe vendlindje na e shponte zemrën, secili zinim nga një kënd të errët (sa me intim, aman!). Më simpatiku dhe me i veçanti ishte ai, naivi dhe më i pastri dhe më i pashkolluari ndër ne, që çdo letër e niste me: “I dashtuni vëlla, Baba Azem!

– Jo, jo, bre, babë e kam Azemin, por, po t’i shkruaj vetëm i dashtuni Baba Azem, po duket disi pak, cung e shyt, po me duket, e kështu.. i dashtuni vëlla Baba Azem,. zemra po me mbushet plot  dhe, sikur po e shkoq nga shpirti, një pjesë përmallimi dhe e nis andej nga i bie Kosova ime e dashur…

Derisa vështroja ushtarin shqiptar që, atëbotë, shërbente në JNA , diku maje malesh, (në kufi me Austrinë), në ish territorin e perandorisë Austro-hungareze, me laps e letër në dorë, të bërë pis, me gojë e gishtërinj bashkë, (nga se lapsit bojë mastille, i thoshin në kohën time!) shpesh i thyhej maja nga ndrydhja e rendë dhe se duhej hukatë e lagë në gojë, që ngjyrës ti vinte shpirti… e tjera e tjera. Nuk me vritej mendja se, a thua heroi im, gjithnjë i paemër e anonim) të këtë pasur hallin e kthimit të mendimit në fjalë, tek i shkruante letër mallëngjimi, vëllait , baba Azemit. Sigurisht se e ka pasur edhe ai, ketë hall, hallin e kthimit të mendimit në – fjalë! Sigurisht se me ato dy-tri fjali nuk ka mundur  të derdh e kulloi tërë përmallimin e madh për vëllamë, baba Azemin…, mendoj tash, për atëherë!

*

Pamja tjetër, akti i dytë i këtij kallëzimi ose i kësaj drame gjithë-shkrimore (jo gjithë-njerëzore!), më lehtë mund të përmblidhet (lidhet) vetëm në një pyetje të vetme: a thua të gjithë ata që shkruajnë, shkrimtarët më shpesh e më shumë, pra, shkrimtarët, duke filluar nga më i miri e deri të me i dobëti(!), kanë arritur që të gjitha mendimet që ju kanë sjellë ndërmend, para se ti qasen shkrimit të ndonjë vepre letrare, apo të ndonjë gjinie tjetër, çfarëdo qofte ajo! Të gjitha, mizorinë e mendimeve, t’i kthejnë në – fjalë!

Përgjigja është e shkurtër dhe e qartë: jo, kurrë, kurrë e përjetë. Mesa shtihen në thes ose lidhen në shami, retë e mjegullat endacake të qiellit të pa anë!

Garant!

Të gjithë ata që shkruajnë e, sidomos shkrimtarët, ata pra, që shkrimin e kanë vokacion, që zanat e kanë, nëse arrijnë që pesëdhjetë për qind të asaj që e mendojnë, e bluajnë në mend, të hedhin në letër, boll është, e paçin hallall!. Madje është sukses i jashtëzakonshëm, vëllai (baba Azem!) ua thotë juve!

Hedhim bast!

(Paul Auster, (shkrimtar amerikan), të mallkoj dhe të jem mirënjohës, njëkohësisht, që vure në  siklet! Të merre¨n me këtë temë që, jo vetëm mua, por të gjithë ata që shkruajnë, i mundon, si dregëz në vend të keq të ishte! Faleminderit, pra. zoti shkrimtar, autor i romanit, Libri i iluzioneve.

Më në fund, gjithçka në këtë botë (jetë) nuk është tjetër, pos një iluzion!). Ndaj edhe kjo përpjekje imja hall-ligë që të them diçka me shumë në lidhje e kthimin e mendimeve në – letër!, nuk është tjetër veçse një iluzion!

                                                                                                Gaillard, 25-26 janar 2017

                                                            – – – – – –

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Greqia mërr lajmin e ÇMËNDUR nga Arkiva Franceze!

Rrëzimi i Kullave Binjake