Nijazi Muhamedi
“Ky simpozium shkencor iu kushtua një jubileu të dyfishtë:
50-Vjetorit të Demonstratave në Maqedoni (Tetovë, 22 dhjetor 1968) dhe i ndërlidhur edhe me Vitin e Skënderbeut, me të cilin u shënua mbarëkombëtarisht: 550-Vjetori i Mbretit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Kjo ndërlidhje u ngjiz në vitin e Demonstratave shqiptare të vitit 1968 në Prishtinë e Tetovë, kur në pranverë të atij viti, në Tetovë dhe Prishtinë u shënua madhnueshëm 500- Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, ku kohë më parë ai Jubile ishte shënuar në Tiranë.
Ai jubile madhnie shqiptare, që u shënua gjithandej ku rronin shqiptarët, pra, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në diasporën historike shqiptare arbëreshe e gjithandej, jo vetëm që ndezi flakën e kujtimit të Motit të Madh Arbëror 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skenderbeu shpalli pavarësinë e parë nga sundimi osman dhe ngriti mbretninë shqiptare, rizgjoi në histori kombin dhe identitetin e tij, por edhe mbeti symbol përhershmërie kombëtare për ta mbajtur të mbledhur këtë komb rreth një kryereference të identitetit shqiptar- Flamurit Kuq e Zi, Gjuhës, Atdheut.
Kjo datë dhe përkujtimi i saj nëpër valët e historisë së mundimshme e të robërimit shqiptar, gjithëherë është përkujtuar edhe si symbol rezistence historike ndaj pushtuesve dhe symbol inkurajimi symbol shprese, symbol guximi kolektiv për t’i dalë përpara me sypatrembësi çdo shkelësi të huaj të tokës dhe të identitetit shqiptar.
Dhe, bekimi skenderbejan i shënimit të 500-Vjetorit të tij para 50 vjetësh ishte shpërthimi i murlanit shqiptar kundër regjimit Rankoviqian që një popull të tërë e kish mbërthyer në rrathët e një golgote të zhbërjes e të represionit kolektiv me forma të ndryshme të akteve të krimeve kundër njerëzimit.
Ishte besnikëria ndaj Flamurit të Skenderbeut që dridhi zemrat e rinisë shqiptare në Tetovën e Prishtinën e vitit 1968 për të mbrojtur këtë Flamur, këtë identitet shqiptar, këtë ekzistencë shqiptare përballë një regjimi të egër e kolonial që praktikonte programin e zhbërjes së ekzistencës kombëtare shqiptare në tokat e veta.
Kënga patriotike “FRYN MURLANI ME STUHI” e kënduar nga Shoqata Kulturo-Artistike “PËRPJEKJA” e studentëve shqiptarë në Universitetin e Beogradit nëpër të gjitha viset shqiptare nën sundim të ish-Jugosllavisë, ishte shkëndija që lidhi në një flakadan të furishëm revoltën shqiptare për të mbrojtur identitetin shqiptar dhe për të ndalur një represion të egër kolonial që ushtrohej ndaj shqiptarëve.
Simpoziumi shkencor që na mblodhi në Tetovë me rastin e 50 vjetorit të Demonstratave të Tetovës dhe Prishtinës, pra, të demonstratave gjithëshqiptare në ish-Jugosllavi, ka edhe një symbol mallëngjimi e përkujtimi patriotik të prekshëm dhe dinjitoz. Mes nesh, ishin të pranishëm si mysafirë të ftuar nderi edhe përfaqësuesit e nderuar, si dhe familjarët dhe pasardhësit e këtyre heronjve të heshtur në madhninë e veprës e të heroizmit të tyre, të atyre demonstratave në mbrojtje të flamurit dhe të nderit shqiptar, dhe që për këtë hoqën vite vuajtjeje e tmerrimi nëpër burgjet jugosllave, por mbetën të pathyer. Dhe, para tyre e bashkë me ta, ne u detyrohemi këtyre heronjve të identitetit shqiptar përkuljen tone të thellë.
Simpoziumi shkencor i organizuar nga Universiteti i Tetovës, Fakulteti Filozofik, ishte poashtu i pari që u organizua në rrafsh mbarëshqiptar, dhe me synimin që të përkujtohet në mënyrë të përshqiptarshme kjo lëvizje e revoltë, e cila gjeneroi një njohje ndryshe të zërit gjithëshqiptar për të drejtat e tyre në vitet pas këtyre ngjarjeve, të drejtën për themelimin e Universitetit të Prishtinës, që mblodhi mandej për dije e studime rininë shqiptare nga të gjitha viset shqiptare, edhe nga Maqedonia e cila e nxiti lëvizjen drejt një ardhmërie të sotme, e ku jemi të gjithë bashkë.
Duke konsideruar se ato demonstrata bënë një histori dhe se, për këtë arsye, ato duhet vendosur drejtësisht dhe denjësisht në themelet e historis shqiptare, morrën pjesë studjues e akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe gjithandej nga diaspora, për të dhënë kontributin e tyre meritor me kumtesat që do t’i parashtrojnë këtu, duke njohur, padyshim, edhe vleftën e madhe të veprave të ndryshme të mëparshme që i kanë shkruar disa prej veprimtarëve të këtyre ngjarjeve historike të qëndresave shqiptare nën pushtimet e mëparshme dhe të fundit në ish-Jugosllavi.
LAVDI PËR TË GJITHË ATA DHE FAMILJARËT E TYRE QE SAKRIFIKUAN JETËN PËR NDERIN SHQIPTAR!
RROFTË FLAMURI KOMBËTAR SHQIPTAR!