Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, as sot nuk ka dhënë një datë për organizimin e takimit të liderëve politikë lidhur me postin e presidentit.
Ai tha se janë duke u munduar që të organizojnë sa më parë takimin, por nëse ka ndonjë afat kohor se deri kur do të tentohet të gjendet një zgjidhje, Hoti deklaroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje sa më shpejt, muaji janar mund të jetë edhe vonë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Jemi duke u munduar të organizojmë sa më parë takimin, tani ftesa formale të shkruara nuk kemi bërë, por jemi duke tentuar që sa më parë të gjejmë një zgjidhje…unë besoj që edhe janari është vonë, por gjithësi sa më parë”, tha ai.
Ndërsa për vazhdimësinë e dialogut pas deklaratave të presidentit Vuçiç se vendi i tij nuk do të njohë Kosovën të paktën gjatë mandatit të tij deri në vitin 2022, kreu i qeverisë tha se pavarësisht kësaj dialogu si proces është çështje muajsh.
“Dialogu si proces është çështje muajsh. Duhet të vijmë në fund të këtij procesi shumë shpejt. Unë do të doja që të përmbyllim me njohje reciproke, nëse nuk arrijmë të përmbyllim me njohje reciproke nuk mund të arrijmë as marrëveshje. E ne do të vazhdojmë të rrugëtojmë dhe ekzistojmë si shtet i pavarur dhe të punojmë të integrime euroantlantike”, tha ai.