in

Shqipëria, një rekord në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare

Shkruan: Besian Zogaj

Në një artikull të datës 20 shkurt, Liberale.al ka publikuar një analizë empirike mbi kohëzgjatjen e mandateve të titullarëve të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë (shih këtu). Gjetje me përmasa të një skandali. Referuar burimeve zyrtare rezultojnë se 41 titullarë të përfaqësive tona diplomatike, nga 51 gjithsej janë në shkelje të rëndë të afateve të kërkuara nga Ligji 23/2015 për Shërbimin e Jashtëm. Rreth 80% e ambasadorëve dhe konsujve me mandat 6 deri në 10 vjet dhe kjo statistikë do ishte akoma më e rëndë po mos të kishim pasur në agjendën tonë shtetërore vendin jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, ç’ka detyroj lëvizjen e 3 ambasadorëve drejt New Yorkut.

Përtej zhvlerësimit të ligjit dhe çdo praktike të mirë e të konsoliduar, rasti i Shqipërisë është i padëgjuar në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Vende tipikisht autokratike si Rusia, Kina apo Bjellorusia, me përjashtime të rralla, i ndërrojnë ambasadorët çdo 4-5 vjet. Vendet me sisteme neopatrimoniale të korruptuara deri në palcë të Afrikës Qendrore po ashtu. Edhe guvernatorët britanik nuk rrinin kaq gjatë nëpër kolonitë e largëta, pikërisht për të shkurajuar personalizimin e detyrës.

Por cilat janë arsyet e këtij modeli sui generis të Republikës së Shqipërisë?

Arsyeja kryesore është pikë së pari ambiguiteti i ligjit për shërbimin e jashtëm në këtë drejtim. Në ligj thuhet se ambasadori si rregull qëndron në detyrë për një afat 3 vjeçar. Mandati nuk është një lojë apo shaka. Mandati është një kontratë. Një koncept që ushqen përgjegjësinë e lart të përfaqësuesit të shtetit dhe që në rastin e marrëdhënieve ndërkombëtare ka rezerva ekskluzive për titullarin e përfaqësisë. Kjo merr një përmasë edhe më të rëndësishme në kushtet kur diplomacia është një ndër kolonat e çështjeve të sigurisë.

Pavarësisht se ligji për shërbimin e jashtëm nuk përmend gjëkundi fjalën mandat koncepti i tij gjendet në frymën e ligjit dhe iterin përgjatë të cilit kalon e gjithë procedura e emërimit duke filluar nga kalimi në Komisionin e Politikës së Jashtme, dekreti presidencial e deri tek ceremonia e pranimit të letrave kredenciale në shtetin pritës. Në momentin që mandati zhvishet nga afatet e qarta dhe të parashikuara,  bien dhe të gjitha institutet juridike, etike dhe morale që ngrihen mbi të.

Rasti i Shqipërisë është tregues par exellance i dialektikës mes kohëzgjatjes së mandatit me peshën e përfaqësimit të shtetit dhe parimet deontologjike që përfshijnë detyrat e larta shtetërore. Këtu mund të gjejmë një ndër arsyet e zhbërjes së Institutit të Përgjegjësisë në Republikën e Shqipërisë, por kjo është një temë shumë më e gjatë se kaq.

Është krejt e qartë që parashikimet e ligjit për shërbimin e jashtëm janë krejt jo adekuate. Pavarësisht se ligji synonte hapjen e shërbimit të jashtëm dhe rritjen e cilësisë së përfaqësimit, sot sistemi është më i mbyllur se kurrë dhe i rrudhur në përfaqësim dhe cilësi. Ligji synonte depolitizimin e përfaqësive. Sot rreth 50% të ambasadorëve dhe konsujve janë emërime politike.

Ministrja e Jashtme e cila duhet të ketë një rol quasi presidencial mbi palët dhe të përfaqësoj zërin e ftohtë të shtetit është një ushtare e bindur politike e cila si asnjëherë më parë në historinë e shtetit e ka kthyer zyrën e kabinetit të saj në një organizatë të Partisë Socialiste.

Ligji synonte gjithashtu një lloj pavarësie të Ministrisë së Jashtme, duke zhveshur nga roli kontrollues dhe konsultues  Kuvendin të Shqipërisë dhe Institucionit të Presidentit të Republikës veçanërisht në emërimin e ambasadorëve. Sot Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme është një aneks i zyrës së Kryeministrit, pa asnjë peshë dhe në shërbim të agjendave politike.

Patjetër që përgjegjësinë për të gjitha më lart e ka kryemistri Edi Rama.  Postmodernizmi i tij agresiv është një përpjekje e përditshme për zhvlerësimin e dhe degradimin traditës dhe kornizave institucionale, vlerave të gjithëpranuara, praktikave të mira e të konsoliduar, karrierat, profesionalizmi, integriteti, mendimin autentik. Është vetëm Kryeministri ai që dikton vlerën e çdo ekzistence. Askush nuk mund të mendoj për vlerën dhe arsyen e ekzistencës së tij, përndryshe ndëshkohet. Rastet e lirimit nga detyra e ish Ministrave Bushati dhe Cakaj tregojnë shumë për këtë.

Për fat të keq ministria dhe ambasadat tona trajtohen nga përfaqësuesit e lart politik të mazhorancës si zyra e eventesh, e pritje-përcjelljeje. Ambasadorët dhe diplomatët trajtohen si mazhordomë e shofer, për ta dhe familjarët e tyre. Një situatë që në shumë raste kthehet në komike. Me sa duket kjo rrumpallë shtetërore i shijon së tepërmi Kryeministrit.

Për ta mbyllur këtë koment, shumë ambasadorë me emër mbiemër në këtë shkrim janë burra dhe gra te respektuar dhe profesionist te shkëlqyer. Shumë të tjerë simbol të kotësisë, injorancës dhe banalitet, ç’ka përkthehet në korrupsion financiar dhe moral. E në ndërkohë, diplomatët të tjerë të nderuar u plaken e po dalin në pension me kokën ulur nga dyert e MEPJ. Kjo nuk nderon askënd.

Drama personale që përfshijnë interesat e Republikës së Shqipërisë të cilat do vazhdojnë nëse nuk do të ndërhyhet në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe kthimin tek kostumet dhe zakonet e mira diplomatike./Liberale.al/

Lini një Përgjigje

Petraq Milo: Shikoni me kujdes videon, unë isha në radhë

Ngushtohet rrethi për Çmimin Kadare 2023/ Kush janë pesë finalistët