in

Shqipëria fiton 2:1 vëllazëroren kundër Kosovës

Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll arriti të fitojë 2:1 ndeshjen miqësore me Kosovën, ndeshje kjo që u luajt pasditen e së mërkurës në Elbasan Arena.

E ashtuquajtura “Vëllazërore” nisi me disa mungesa për trajnerin e Shqipërisë, Edoardo Reja.

Marash Kumbulla i infektuar me COVID-19, ndërsa Giacomo Vrioni i lënduar. Po kështu skuadrës nuk mundi t’i bashkohej për shkak të protokolleve të koronavirusit Lorenc Trashi duke bërë që Reja të thërrasë në ekipin përfaqësues Erion Hoxhallarin dhe Marsel Ismajlgecin.

Në anën tjetër trajneri zviceran Bernard Challandes rezultoi i infektuar me COVID-19 dhe ndeshjen e drejtoi zëvendësi i tij Muharrem Sahiti.

Të dyja skuadrat kënduan bashkë himnin kombëtar. Shqipëria e nisi përballjen me një katërshe mbrojtjeje të përbërë nga Erion Hoxhallari, Ramën Çepele (17 vjeç, debutim), Ardian Ismajli dhe Albi Doka (debutim).

Vlen të thuhet se kapiten ishte portieri Etrit Berisha pasi Elseid Hysaj u la jashtë formacionit titullar. Ndërsa në anën tjetër spikati që nga minuta e parë Vedat Muriqi, shkruan euroneuws.albania.

Përballja u zhbllokua nga Bekim Balaj, pas një shërbimi nga Myrto Uzuni në minutën e 31-të.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat kryen nga katër zëvendësime, përpara se Uzuni të shënonte golin e dytë në minutën e 65-të.

Muriqi shkurtoi diferencat në minutën e 85-të për Kosovën përmes një penalltie.

Pas ndeshjes miqësore me Kosovën, Shqipëria e drejtuar nga Reja ka në kalendar përballjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë më 15 dhe 18 nëntor, ndeshje të cilat do të luhen në Tiranë dhe janë të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Shqipëria ndodhet në Grupin 4 të Ligës C, dhe aktualisht pas 4 ndeshjesh mban vendin e 3-të me 5 pikë, po aq sa Lituania dhe 1 pikë më shumë se sa Kazakistani i vendit të fundit. Kuqezinjtë kanë lëshuar pikë ndaj këtyre dy skuadrave duke zhgënjyer jo-pak ndjekësit e sportit.

Nga ana tjetër edhe Kosova nuk ka pasur paraqitje të mira. E gjendur në Grupin 3 të Ligës C me Slloveninë, Greqinë dhe Moldavinë, përfaqësuesja e Bernard Challandes ka marrë vetëm 2 pikë në 4 ndeshje.

Lini një Përgjigje

Shkelësit e ligjit Qeveria i dënon deri në tre muaj me mbyllje biznesi

Atifete Jahjaga me dukje tjetër