Ai ka thënë se Serbia po shfrytëzon momente të favorshme politike që të gjejë lokacionet me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas tij, kjo do të duhej të ishte çështje humanitare, e jo politike.
“Nuk do mend që autoritetet në Serbi duhet të kenë pasur informacione mbi lokacionin krejtësisht saktë, por si duket ende shfrytëzohen momente të favorshme politike nga Serbia që të gjejë lokacionin e saktë, ndoshta në mënyrë dinake është përmendur nga zyrtarët e komisionit serbë për të zhdukurit që informacioni ka rrjedhur nga Kosova. Kjo ndoshta ka të bëjë me heqjen e përgjegjësisë. Si mund të jetë e saktë kjo, është për keqardhje që çështja e personave të zhdukur edhe pas gjithë atyre takimeve dhe një marrëveshjeje që është nënshkruar në Washington dhe në Bruksel ende po trajtohet si çështje politike e jo si humanitare. Gjithsesi është lajm i mirë që është gjetur lokacioni i saktë”, ka thënë Blakaj.
Ai thotë se procesi nuk duhet të ndalet këtu, duhet të zbulohen edhe lokacione të tjera.
“Është e rëndësishme që ky proces të fuqizohet dhe të ketë qasje më proaktive edhe nga institucionet në Kosovë edhe në Serbi, në mënyrë që sa më shumë familje ta realizojnë të drejtën për ta ditur dhe të marrin prapa eshtrat e të dashurve të tyre dhe t’i varrosin në mënyrë të dinjitetshme”, tha ai në Ktv./GazetaSinjali/