Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shkruar në Facebook se Kosova ishte viktima e Serbia agresori. Ë gjithë e dinë se çfarë krimesh gjenocidale kreu regjimi i Milosheviqit në Kosovë. Koha e fundit që ta përballim Serbinë dhe ekipin e Milosheviqit që ende janë nëpër zyra shtetërore me krimet e kryera kundër njerëzimit, të cilat ende i mohojnë e mbrojnë.
Postimi i plotë i ministres:
Kosova ishte viktima e Serbia agresori. Dihet botërisht, e nga të gjithë pa përjashtim, çfarë krimesh gjenocidale kreu regjimi i Milosheviqit në Kosovë.
Kasapi i Ballkanit fiks para nëntëmbëdhjetë vjetësh, më 12 Shkurt 2002, zuri vendin që i takonte, vendin e turpit të historisë, duke qenë përballë gjyqtarëve të Gjykatës së OKB-së për Krime Lufte në Hagë për mijëra masakra e krime monstruoze të kryera në Kosovë.
Por, fatkeqësisht, ai u dënua vetëm nga ndërgjegjja e njerëzimit të botës demokratike për fashizmin e tij, por kjo Gjykatë nuk arriti ta çojë në vend drejtësinë, pasi kasapi iu iku nga duart, pa e marrë dënimin e merituar.
Edhe sot e njëzetëenjë vjet pas luftës nuk ka drejtësi për mijëra viktima në Kosovë, e cila fatkeqësisht po përballet me drejtësi selektive.
Koha e fundit që ta përballim Serbinë dhe ekipin e Milosheviqit që ende janë nëpër zyra shtetërore me krimet e kryera kundër njerëzimit, të cilat ende i mohojnë e mbrojnë!