in

Rrëfim interesant dhe drithërues

 

Shkruan Gani Mehmetaj

 

Binak Kelmendi “Demë Dedë Boga”, roman, botoi Koha, Prishtinë, 2023. 

“Banorët e këtij fshati i pandehja pothuajse paganë. Ka dy-treqind vjet që në këtë fshat, pas djegies dhe shkatërrimit të kishës, nuk është praktikuar ndonjë rit fetar. Madje, kam dëgjuar që as nëpër shtëpitë nuk bëjnë ndonjë lutje”, faqe 112. 

Romanin “Demë Dedë Boga” të Binak Kelmendit duhet ta lexoni patjetër, është këshilla ime e parë. Është romani më interesante në Dardani në njëzetë vjeteshin e fundit me temën, më mënyrën e qasjes, me mishërimin, me protagonistët dhe me rrëfimin që është krejtësisht ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë këndej anës së Drinit. E lexova me kureshtje që nga faqet e para. Me përpiu rrëfimi, me barti gjeografia, ma shpalosi dhe ma rikujtoi rininë time për banorët e një krahine që i kishim aq afër dhe aq larg. Na ndante relievi i thyeshëm, na frikësonte mjegulla që e mbulonte vjeshtës, shpesh edhe në vapën e gushtit, ndërsa bora e ortekët e izolonin dimrit, e shkëpusnin nga bota. Banorët e lashtë e kishin jetën e tyre të ndryshme nga qyteti. Në mjediset e kasabasë sime krijonte paragjykime jeta ndryshe e banorëve, pa ndalesa orientale, pa fanatizmin fetarë dhe me një mendësi shumë më të hapur a me të avancuar se sa i ashtuquajturi qytet që ne e mburrnim. Kisha dëgjuar rrëfime nga më të ndryshmet.

Autori Kelmendi pinjoll i kësaj krahine na i shpalon veçantitë e krahinës së vet përmes një katundi dhe dy kronistëve: Antropologut dhe Etnologut. “Banorët e këtij fshati i pandehja pothuajse paganë. Ka dy-treqind vjet që në këtë fshat, pas djegies dhe shkatërrimit të kishës, nuk është praktikuar ndonjë rit fetar. Madje, kam dëgjuar që as nëpër shtëpitë nuk bëjnë ndonjë lutje”, thotë Antropologu (faqe 112).    

  Etnologu e kundërshton: “ nuk janë paganë, por edhe nuk mund të thuhet se janë praktikues të devotshëm të ndonjë feje”, ndërsa që të dy e kujtojnë Plakën që derisa e ndiqnin në heshtje e bëri kryqin, iu fal shenjtores Mari, por u fal edhe në fenë tjetër. Plaka ishte e frikësuara dhe e penduar. Rituali i saj i faljes dhe i pendesës i mrekulloi dhe i hutoi dy rrëfimtarët që  hulumtonin dhe shpalonin kronika nga më të ndryshmet. Në jetën e vendësve Krishti, kisha, kryqi, kambanarët, tymi i temjanit, Gjergj Kastrioti, Lekë Dukagjini dhe Bogë Boga zinin vendin kryesor. Pa këto simbole e portrete nuk e imagjinonin jetën as vdekjen. Por koha ndryshoi, me te edhe simbolet shpirtërore. Bota u përmbys.         

Jeta dhe drama e malësorëve është e larmishme: luftëra të pafundme, sikurse edhe pjesa tjetër e kombit, kthimi në fenë tjetër është fatkeqësia më e rëndë që i ndoqi shumë shekuj. Ata ishin pjesë e ushtrisë së Gjergjit Kastriotit e të Lekë Dukagjinit, luftuan kundër cubave të shtetit fqinj, luftuan e ranë kundër kthimit në fenë tjetër. Autori kap një periudhë të gjatë kohore, paraqet inserte të luftës së ushtarëve të Pjetër Bogdanit kundër Perandorisë Osmane, ndërsa arbëroret janë në të dy ushtritë: Demë-Dedë Boga është në anën e pushtuesve, kurse dy shokët e tij Marashi dhe Gjeka në ushtrinë e Pjetër Bogdanit e Pikolominit. Pas kësaj lufte shumë malësorë ikën përtej në Panoni e Hungari.  

Në serinë amerikane “Rrënjët ”, protagonisti Kunta Kinte me zezakët e vet i shkulin nga vendi i tyre dhe i sjellin në vendin e ri. Protagonistët dhe bashkëkombësit e autorit, i shkulën nga rrënjët e të parëve katolik dhe ua imponuan fenë që e solli pushtuesi andej nga brenë miza hekur.

Janë edhe shumë kronika që na i bartë autori ndër shekuj, duke e ndërthurur dramën më të sotmen. Rrëfimet janë interesante dhe drithëruese.      

Binak Kelmendi ka stil të veçantë të të rrëfyerit. E shquajnë tema dhe preokupimi, e shquan mënyra se si e rrëfen një kronikë ngjarjesh e personazhesh, por duke rrëfyer për fshatin nga rrjedh, ai në fakt rrëfen historinë shqiptare në një periudhë të gjatë kohore.

Kërkimi i rrënjëve dhe rrëfimi i historisë përmes fatit të Demë Dedë Bogës, një figurë tragjike me dy emra dhe me dy identitete fetare, që në fakt shkrihen në njëra tjetrën, shpesh nuk i shquan ku nis njëri e ku përfundon tjetra. Kjo e bënë interesante rrëfimin, e shquan, sepse pak ose aspak shkrimtarë tonë e kanë trajtuar tragjedinë e konvertimit nga feja e të parëve në fenë e “të përcudshmit  e panjohur”, sikurse i quana autori  turqit, osmanët.  

I preokupuar me rrëfimin në disa linja, autori ndonjëherë rekuizitat i ngatërron: arma “martina” që është shumë më e vonshme se sa e kohës së Calë Bogës, duhej të qe shishane (pushkë me një plumb që futej nga gryka).

Ka edhe shumë për t’u rrëfyer për këtë  vepër, por është lexuesi ai që duhet ta lexoj nga dora e parë, pra nga romani “Demë Dedë Boga”   

Autorin e romanit e përgëzojë.

Lini një Përgjigje

Berisha: Rama me porosi të Vuçiqit nuk e lejon shtatoren e Rugovës

Konferenca e Mukjës