Sulmuesi i Lazios Muriqi do t’i bashkohet Milot Rashicës së Werder Bremenitdhe Leart Paqaradës së St. Pauli në listën e mungesave për Kombëtaren e Kosovës këtë muaj, raporton Gazeta Express.
Njëlloj si Rashica dhe Paqarada, edhe Muriqi u ftua nga trajneri i Kosovës Bernard Challandes për ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë më 11 nëntor në Elbasan dhe për dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë, por nuk do të jetë në gjendje të paraqitet.
Kufizimet e vendosura nga autoritetet shëndetësore në Gjermani për mbrojtje ndaj Covid-19, i kanë shtyrë klubet e Rashicës dhe Paqaradës të mos i lejojnë lojtarët e vet t’u bashkohen Kombëtareve të tyre përkatëse.
Fatin e njëjtë e përjetoi edhe Muriqi, i cili dëshpëroi me paraqitjen e tij në barazimin e Lazios 1:1 me Juventusin, pasi autoritetet lokale në Itali ua kanë ndaluar klubeve të caktuar t’i lejojnë lojtarët t’u bashkohen kombëtareve të veta përkatëse.
Ndër to është edhe Lazio.
Muriqi e mposhti virusin në fillim të tetorit, por kjo nuk pritet të bëjë përjashtim për të.
Lojtarëve nga klubet si Fiorentina, Genoa, Inter, Lazio, Roma dhe Sassuolo u ndalohet t’iu bashkohen kombëtareve të tyre për shkak se detyrohen të futen në karantinë, sepse në klubet e tyre është gjetur të paktën një rast me koronavirus brenda kësaj jave, shkruan Gazeta Express.
Muriqi, Rashica dhe Paqarada do të mungojnë në miqësoren kundër Shqipërisë dhe në dy ndeshje vendimtare për fatin e Kosovës në Grupin 3 të Ligës C, pasi dardanët dëshirojnë ta shmangin rënien në Ligën D – kategorinë e fundit të kësaj gare.
Ata do ta humbin mundësinë për të luajtur kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë dhe tri ditë më vonë kundër Moldavisë në Prishtinë.
Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia.