Një çështje e shkeputur nga intevista thelbësore e Kryetarit të PSHDK, Dr. Ukë Berisha
– PSHDK nuk ka fare bashkëpunim me Ipeshkvinë, sepse Ipeshkvia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për të mirën e përbashkët.
Jemi këtu, për t’ju rikujtuar se PSHDK-në dhe të ardhmen e saj kurrës’mund ta marrë peng askush. Gjergj Fishta përpara gati një shekulli ka shkruar se:
“Njeriu duron dhimbjen, duron fatkeqësitë, por e ka të vështirë të durojë pabesitë dhe thikën pas shpine, të ngulur nga ata që deri dje të përqafonin tuj të thirrë vëlla”.
● Shpesh në emër të krishterëve katolikë shqiptarë përpiqet politikisht t’i përfaqësojë Ipeshkvi i Kosovës? A keni bashkëpunim me Ipeshkvinë dhe sa jeni të kënaqur me këtë bashkëpunim?
Dr. Ukë Berisha: Siç dihet, politika dhe partia politike është e ndarë nga feja, ashtu siç është e ndarë nga pushteti edhe feja. Ne si PSHDK e kemi thënë se partia jonë nuk përfaqëson religjionin kristian ndër shqiptarë, por vlerat europerëndimore kristiane, për ta përforcuar trashëgiminë dhe identitetin tonë nacional. Prandaj nuk kemi dashur që ta prishim paktin laik me religjionin. Në këtë drejtim, po qe se Ipeshkvi e merr atë rol përfaqësues qoftë edhe të jetës politike, atëherë kemi vërejtjet tona. Në këso rastesh, do të na kujtohen ipeshkvij të së kaluarës, që ishin zëri i të vërtetës sonë, ishin të mishëruar me vuajtjet e fatin e popullit. Por tash, Ipeshkvi që përfaqëson besimtarët e tij, në fakt as që interesohet se cili është fati i tyre social, ekzistencial, apo, qoftë edhe politik e fetar, sepse religjionet kanë të drejtë të interesohen edhe për politikën, edhe për fatin e besimtarëve të tyre dhe të shprehin opinionet e tyre.
E vërteta është se PSHDK fare nuk ka bashkëpunim me Ipeshkvinë, sepse Ipeshkvia nuk është e interesuar të bashkëpunojë për të mirën e përbashkët. Interesimi i këtij Ipeshkvi është me disa kute, për mos me thënë figura e tij ngë një imazh dyfytyrësie: përbetohet e brengoset gjoja për fatin e besimtarëve, por ai është tejet më i interesuar për të vjelë para e financa nga besimtarët, sidomos nga diaspora ose duke u dhënë pas bizneseve për përfitime.
Defektet e këti Institucioni të lartë fetar, pra të Ipezhvisë së Koovës janë të shumta dhe të pajustifikueshme. Në vazhdën e shumë defekteve organizuese të Ipezhkvisë nuk mund anëshkalojmë veprimin e rrënimit të kulteve fetare me traditë dhe simbolikë të hershme, që identifikojnë vlera të trashëgimive historike, fetare e kulturore, si bie fjala rrënimin e Kishës së vjëtër Shën Ndou në Gllegjan të Pejës, e cila kishte një simbolikë të një së kaluare sa të dhimbshme po aq edhe tragjike, që lidhej me pushkatimin e martirit të fesë dhe të kombit, Atë Luigj Palajt, më 1913. Po ashtu kemi informacione për tendenca për rrënimin e Kishës Katolike në Ferizaj, e cila personifikohet me dy figurat më emblematike të kishës dhe kombit tonë, Dr. Dom Gaspër Gjinit dhe Imzot Nikë Prelës, të cilët një jetë të tërë ia kushtuan kishës dhe kombit. Prandaj, këto veprime nuk do t’i fal historiografia e kishës sonë, se ajo gjithherë flet më vonë.
Sjellja e tillë dhe qëndrimi i tillë e zbeh substancën ekzistenciale dhe identitare të këtyre besimtarëve. Krejt ndryshe ishte koha kur vepronte Imzit Nik Prela në frontin e përbashkët të rezistencës. Prandaj PSHDK si Demokraci Kristiane, do të duhej të kishte një marrëdhënie të veçantë me kishat e krishtera, por assesi “krahu i tyre politik”, ashtu sikundër zbatohet ky parim në Evropë. Demokracia Kristiane vlerëson ndarjen e shtetit dhe kishës, megjithatë Demokracia Kristiane dhe kishat ndajnë të njëjtat vlera. Ndër to bëjnë pjesë modeli i njeriut kristian, pranimi i dinjitetit individual të njeriut, respektimi i lirisë dhe i përgjegjësisë, mbrojtja e jetës së palindur, ruajtja e krijesës dhe vlera e veçantë e familjes, si njësia më e vogël e shoqërisë. Përveç kësaj kishat vlerësohen si instanca drejtuese etike dhe morale dhe si vende të nxitjes së shpirtit qytetar dhe të mirëqenies publike. Në kontekstin shqiptar, ky parim shtrihet si vëllazëri shqiptare e tolerancës së ndërsjellë vëllazërore ndërfetare.
Intervistoi, Mikel Gojani