in

Presidentja Osmani në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papë Françesku

   Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në një audiencë private në Selinë e Shenjtë nga Papë Françesku. Në një njoftim në rrjetin social facebbok, presidentja shprehet e lumtur për pritjen dhe thotë se Papën e ka njoftuar vendosmërinë e Kosovës për t’i kontribuar paqes dhe e konsideron tepër të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Vatikani.

“Kam ardhur këtu për t’jua shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kujdesin që keni treguar ndaj vendit tim, duke i ndenjur afër vazhdimisht”, ka thënë Osmani, njofton Zyra e Presidentes.

Osmani e ka njoftuar Papë Françeskun mbi orientimin e Kosovës si pjesë e qytetërimit të hershëm evropian dhe vizionin e vendit për integrim në strukturat euroatlantike.

“Njohja e sakrificës qëndron në themel të besimit për të ardhmen”, tha Presidentja.

“Populli i Kosovës është ringritur mbi hirin e kësaj sakrifice të shumë brezave dhe përpjekjeve të tyre për liri. Tani Kosova po e ndërton sigurt të ardhmen e saj, brenda familjes së gjerë të popujve të lirë. Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës e falënderoi Papë Françeskun për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.

“Në pesë vjetorin e vendimit tuaj për avancimin e statusit të Administratës Apostolike në Kosovë, duke e ngritur atë në nivel të dioqezës, jam shumë e lumtur që mund t’ju falënderoj personalisht për kujdesin dhe t’ju siguroj se vlerat tona të përbashkëta, mbi të cilat janë krijuar historikisht raportet tona do të vazhdojnë të mbeten themel i fuqishëm i lidhjes sonë, të cilën ne synojmë ta thellojmë më tej”, tha Presidentja Osmani.

Më tej, presidentja Osmani dhe Papë Françesku biseduan për raportet ndërmjet dy vendeve dhe kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës.

“Raportet tona janë shumë të hershme dhe tepër të fuqishme, ngase burojnë nga përkushtimi për paqen, tolerancën dhe harmoninë mes njerëzve. Ato na kanë bashkuar tradicionalisht”, tha Presidentja Osmani. Ajo kujtoi që në vitet ’90, kur popullit po i kanosej ekzistenca, Kosova e udhëhequr nga Presidenti Rugova frymëzimin e gjente edhe në qëndrimin e Papës Gjon Palit të Dytë, dhe në përpjekjet e Vatikanit për t’i ruajtur e promovuar vlerat qytetëruese dhe lirinë e popujve”.

Më tej, presidentja foli për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për mënyrën e funksionimit të bashkësive fetare në Kosovë dhe vendosmërinë e shtetit të Kosovës që t’i njohë e promovojë më tej liritë fetare.

Po sot, Presidentja Osmani do të pritet edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.

Ndryshe presidentja Osmani pas këtij takimi ka shkruar edhe në rrjetin social Facebook.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Studiuesi Plasari: Skënderbeu nuk u mor peng nga Osmanët dhe s’u konvertua në mysliman

Policia goditet nga një veturë, shtie me armë për të neutralizuar rrezikun