in

Plani serb për shfarosjen e shqiptarëve në vitet 1994-1999 (4)

Shqiptarëve përmes gjyqeve duhet t’u merren tokat, banesat dhe vilat që i kanë ndërtuar në vendet turistike. Në vijim do të ngrihet ligji për shembjen e mureve rreth shtëpive të tyre dhe të shpërngulen…Intelektualët të vëzhgohen dhe të burgosen. Të ushtrohet dhunë fizike ndaj shqiptarëve… Kosova të ketë vetëm 44 për qind shqiptarë… 

Prof. Dr. Hakif Bajrami

Ideja e serbizimit të Kosovës                          

Në vijim duhet ta matim tokën në përgjithësi’, shkruajnë fashistët serbianë.” Duhet të krijojmë libra të ri kadastralë dhe duke i asgjësuar librat e vjetër; duhet krijuar librat e posedimit të ri, duke e matur tokën me një fushatë politike shtetërore, krejt me qëllim që Kosova të serbizohet”.

Programi parasheh se do t` u merret prona shqiptarëve përmes gjyqeve,duke i vënë një pjesë të shqiptarëve para nivelit që duhet ta lëshojnë Kosovën. Paralel me këtë akt gjyqësor lidhur me pronën tokësore, shqiptarëve do t` u merren banesat dhe vilat që i kanë ndërtuar në vendet turistike. Në vijim do të ngritet ligji për shembjen mureve rreth shtëpive të shqiptarëve. Do të burgosen në vijim të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare, duke i shpallur organizatat e tyre armiqësore. Kështu do t` i afrohemi objektivit, që ta zvogëlojmë edhe më tej numrin e shqiptarëve, duke e sjellë në 44%”.

Ndërtimi i 100 fshatrave të reja sllave në Kosovë

“Duke u bashkuar në një front si kurrë më parë, do ta gjallërojmë sektorin privat serbian, duke krijuar sipërmarrje të vogla, duke krijuar punëtori, ferma bagëtish dhe të derrave. Për këtë qëllim do të ndërtohen 3 000 objekte punuese në sektorin privat. Në çdo objekt do t` i punësojmë nga 50- 80 punëtorë. Kjo do të thotë programojnë nxënësit e ideologjisë së Gebelsit, se do t` i punësojmë 250 000 persona sllavë, që janë të ardhur nga Kroacia. Në këtë drejtim, do të krijohet edhe një beneficion për të gjithë ata oficerë që kanë shërbyer në Slloveni dhe Kroaci dhe kështu Kosova do të sigurohet si vendi më i militarizuar, ku shqiptarët as zogjtë e qiellit nuk do t` i shohin kah vijnë, derisa ta pranojnë Serbinë, derisa të shpërngulen dhe derisa të konvertohen. Për ta arritur sigurimin e këtij objektivi kombëtar serbian, vijojnë programuesit, do t` i ndërtojmë 100 fshatra të reja në 13 komuna. Çdo fshat i këtillë do t` I ketë nga 1250 banesa (shtëpi), ku do të zhvillojnë jetë normale 5000 banorë. Në çdo fshat do të themelohen nga 30 sipërmarrje të vogla, ferma, dhe punëtori ku do të punësohen 2 500 punëtorë. Çdo fshat i tillë do ta ketë shitoren, ujësjellësin, kanalizimin, telefonin, rrugën, shkollën, shtëpinë e kulturës, ambulancën dhe kishën. Në këtë transformim parashohim t` i sjellim në punë 125 000 persona, të cilët do t’i ushqejnë 500 000 banorë aktivë”. Si të financohet Programi i serbizimit Kosovës, pyesin autorët neofashist më 1994. Dhe përgjigjen me:

Bankë që e krediton sllavizimin e Kosovës sikurse në 1918-1941

Në vijim fashistët serbianë programojnë: “Kriza financiare në Serbi, nuk lejon të arrijmë këtë nivel ideal. Por ne do ta realizojmë duke larguar shqiptarë nga Kosova, e duke i ndihmuar këtij plani me faktin se çdo person që punon jashtë duhet t`i investojë nga 1 000 dollarë, duke i ngritur me ato para 100 fshatrat e reja. Për këtë propozojmë që të themelohet një bankë e përzier, që do t`i financojë punët e ekspertëve agrarë dhe ideorë. Në këtë aspekt për t` i larguar shqiptarët nga pronat e tyre, duhet me çdo kusht t` i detyrojmë të shkojnë ushtarë me obligim, aq më parë kur tash në Bosnje lufta mbaroi, dhe me të gjitha mjetet duhet ta mbulojmë Kosovën, për ta renditur në thumb (mushicë)pastaj Maqedoninë bullgaro-shqiptare”.

Për realizimin e Programit, Kuvendi i Serbisë do të sjellë këto ligje bazike:”Ligji për lirim nga tatimi për 3 vite për çdo sipërmarrje dhe punëtori të re, që është pronë e serbëve të ardhur nga Kroacia; ‘Ligji për qytetarë të jashtëm’, ku do të dihet kush është qytetar i Serbisë; ‘Ligji për stimulimin e natalitetit”. (Ideator të Programit: Slobodan Milosheviq kryetar, Ivica Daçiq sekretar gjeneral i SPS (Socialistiçka Partia Serbie); Vojislav Sheshel, kryetar, Tomislav Nikoliq- nënkrytar, Dr Nikola Popallashen- nënkryetar, Maja Gojkoviq- nënkrytar, Ranko Dujiq- nënkryetar, Açim Vishnjiq- nënkryetar, dhe Aleksander Vuçiq -sekretar gjeneral i Partisë Radikale Serbiane (Srpska Radikalna Stranka); Zhelko Razhnatoviq- Arkan kryetar i Partisë Bashkimit Serbian (SSJ).

Programi e kishte një aneks, që në vete ngërthente këto udhëzime: 1. Me rrah shqiptarë në vende publike, sidomos ditëve të pazareve, por edhe në dasma nëse vërtetohet se nuk kanë armë; 2. Të privohen shqiptarët nga liria dhe në burgje duhet ta ndiejnë peshën e pushtetit serbian; 3.Të gjithë shqiptarët që tregtojnë me tregtarët serbianë duhet rënduar haraçin me deviza; 4. Ata shqiptarë që kanë shumë pasuri e janë të lidhur me firmat kroate dhe sllovene, duhet në çdo hap të përcillen; 5. Intelektualët kulminantë shqiptarë duhet të merren në pyetje dhe duhet të kërcënohen; 6. Duhet ta përhapim propagandën se shqiptarët e rëndomtë janë të kënaqur duke i reklamuar nëpër televizione shtëpitë e tyre të bukura, të cilat synohet një ditë të konfiskohen;7. Pushteti duhet të lidhet me kishën dhe qendrat tona të emigracionit, me qëllim që të realizohet qëllimi final I serbizimit Kosovës”.

Pse qarqet kriminale serbe e krijuan këtë program

Serbët gjatë shekullit XIX e krijuan KONCEPTIN e MEGALOMANISË. Gjatë shekullit XX u krijua jugosllavizmi dhe ky jugosllavizëm sot irriton serbët ( e deri më 1992 e lëvdonin deri në kupë të qiellit-Hb) sepse në krijimin e këtij koncepti që më së shumti punoi për të Mbreti Aleksander, serbianët njëherit “krijuan” edhe dy fise tjera në favor të të njëjtit emër jugosllavë (Sllovenët dhe Kroatët-hb) që në fund të shekullit do t` ua kthejnë armën seriozisht, edhe pse nuk e kishin për herë të parë. Së dyti serbomëdhenjtë e kritikojnë komunizmin, sepse nuk ua siguroi integralizimin dhe homogjenizimin e sllavëve për t` u konvertuar të gjithë në serbianë. E vërteta, e tërë ajo hallakamë ideologjike dhe praktike e Jugo-Versajës dhe jugo-avnojit, shkoi në plehun e historisë, sepse me megalomani ishte krijuar dhe me vargoj krimesh shkoi në “jogurt revolucion”.

Të gjitha krimet serbe 1995-1999 ishin rezultat i këtij Programi neofashist

Ja faktet: E trimëruar nga megalomania Jugo-Serbia gjatë viteve 1981-1999 i krijoi 755 000 dosje hetuesie për shqiptarë; i deportoi mbi 1 000 000 shqiptarë nga trojet e veta, i vrau mbi 13 000 shqiptarë civilë; i rrënoi 140 000 shtëpi banimi me të gjitha objektet përcjellëse; i krijoi 600 varreza masive; i rrënoi 400 xhami të mëdha dhe të vogla; i dhunoi 20 000 femra (shiko: Hjumens rajhs voç); shkatërroi biblioteka private dhe institucionale me një vlerë të madhe civilizuese. Sidomos, disa dokumente të Arkivit të Bashkësisë Islame të Kosovës nga shekulli XIV-të ose u grabitën ose u dogjën për mos me u ditë realiteti shqiptar në Dardani deri në shekullin XIV. Në fund të shekullit ( pikërisht më 27. V. 1999 pushteti dhe kisha serbiane , provuan që në Beograd të krijojnë një uniatizëm religjioz, për ta kthyer krimin në diçka religjioze, për ta mbuluar çdo krim me një afianizëm kishtar, se me Serbinë po bashkëpunojnë të gjitha kishat e krishtera, pa mëkate”.

Pas nënshkrimit të kapitullimit të makinerisë vrastare serbiane në Kumanovë më 9. VI. 1999, të gjitha njësitet paramilitare (ishin nja 36 njësi, të përbëra prej kriminelëve në zë si: Arkan, Dragan, tridhjetë rusë, katër drejtues çetash kriminale ukrainase, dy bjellorusë, dy rumunë, 2 zviceranë, 11 italianë, 6 austriakë e madje edhe 1 hebre), të gjithë derisa u larguan më 10 qershor 1999, jashtë kufijve të Kosovës, do t` i marrin me vete gati të gjithë serbianët e kolonizuar nga Kroacia dhe Serbia (1992-1999) peng, që ishin ardhur nga Kroacia ( e numri I tyre nuk ishte i vogël), si sigurues civilë, deri në Kurshumli.

Shtrohet pyetja: Ku gjendet Arkivi i 4 500 anëtarëve të shërbimit informativ dhe kontrainformativ serbian që vepronin në Kosovë janar -dhjetor 1999, ku ata do ta kenë shënuar çdo ndryshim që është bërë në trevat e kolonizuara. E persona të tillë ka sot nëpër enklava dhe të atillë që kamuflohen dhe enden, madje edhe nëpër Prishtinë, në pikë të ditës, e shërbimet shtetërore të Kosovës flenë. Këtë realitet duhet ta hulumtojë (hetojë), mbrojë dhe gjykojë Gjykata Speciale me seli në Hagë, e jo të merret me kurdisje dhe intriga kriminale serbiane, të cilat janë të njohura qe dy shekuj, me 35 programe për shfarosjen e shqiptarëve pa ndërprerje në Kosovë, për t` ia filluar pastaj me serbizimin e Shqipërisë bregdetare si planifikohej më 1939 nga Lotiqi i “ZBOR” it dhe Ivo Andriqi e lëvizjes “ORJUNA; SRNAO dhe “Nardna Ordbrana”, “Bella Ruka” e” Crna Internacionala”!.

Shënim: Lutem, shpërndajeni në të gjitha mjetet e informimit nëpër të gjithë rruzullin tokësor. Le të dihet e vërteta. Përgjegjësia është imja! (Fund)

Në Prishtinë, më 14. VII. 2020

Lini një Përgjigje

Arsyeja e mos zbukurimit të Preshevës për Krishtlindje e Vitin e Ri – lidhjet islamike!

Hunter Biden po hetohet për çështje të taksave