Kryetari i Shoqatës së botuesve Shqiptarë tha se këtë vit janë botuar më shumë se 400 tituj të rinj librash. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, këtë vit Panairi do të organizohet vetëm online.
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në një intervistë për Euronews Albania foli rreth Panairit të Librit që do të zhvillohet këtë vit i cili ka dalë prej traditës 23-vjeçare.
Nga zhvillimi i tij i zakonshëm në Pallatin e Kongreseve këtë vit për shkak të pandemisë kjo ngjarje do të zhvillohet online.
Panairi do të zgjasë 4 ditë dhe ditën e diel, do të bëhet dhe vlerësimi për titujt më të mirë.
“Të gjitha këto aktivitete do të bëhen të njohura për lexuesin online jo vetëm nëpërmjet Facebook-ut të të gjitha shtëpive botuese por edhe nëpërmjet ekraneve të vendosura në disa pika të Tiranës, ekrane të mëdhenj që janë 24 orë duke transmetuar aktivitetet, një pjesë e tyre live (direkt), disa të tjera meqenëse kemi dhe disa aktivitete në të njëjtën kohë do të transmetohen të regjistruara,” – u shpreh Ymeri.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë shtoi se numri i titujve të rinj të librave kishte rënë në krahasim me një vit më parë.
“Janë më shumë se 400 tituj të rinj që janë botuar,” – tregoi z. Ymeri.
Ndër të tjera ai tha se pavarësisht dyshimit nëse kjo iniciativë do të përqafohej nga botuesit, ishte surprizuese mënyra se si e pritën organizimin online të Panairit të Librit.