Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka këshilluar institucionet shëndetësore që të mos e përdorin ilaçin antiviral Remdesivir për të trajtuar pacientët me COVID-19, që janë të shtruar në spital. Një panel i OBSH-së tha se ilaçi nuk ka “ndonjë efekt të rëndësishëm” në mbijetesë ose në uljen e kohës së shërimit.
Grupi i Zhvillimit të Udhëzimeve të OBSH-së (GDG) tha më 20 nëntor se nuk kishte “asnjë provë të bazuar në të dhënat aktuale në dispozicion që ky ilaç përmirëson gjendjen e pacientit”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe dhjetëra vende të tjera kanë dhënë miratim të përkohshëm për përdorimin e ilaçit antiviral që e prodhon Gilead Sciences, pasi një hulumtim fillestar tregoi se mund të shkurtojë kohën e shërimit te disa pacientë me koronavirus të shtruar në spital.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili doli pozitiv për koronavirusin në fillim të tetorit, u trajtua me Remdesivir si dhe ilaçe të tjera.
Paneli tha se rekomandimi i tij për mjekët bazohej në të dhëna nga katër hulumtime ndërkombëtare të rastësishme që përfshinin më shumë se 7.000 pacientë të shtruar në spital me koronavirus.