Në Shqipëri, një vit pas tërmetit të fortë që goditi vendin, hetimet e nisura për shkatërrimet e shumta që ndodhën, me pasojë dhe vdekjen e dhjetra qytetarëve, nuk janë mbyllur ende, me përjashtim të Durrësit. Nga mbi 50 të arrestuarit thuajse të gjithë kanë lënë qelitë, ndërsa ka patur dhe raste, si ai i drejtoreshës së Urbanistikës në Bashkinë e Kavajës e cila është rikthyer në detyrë, ndonëse është nën hetim për “vrasje nga pakujdesia”.
Pak ditë pas tërmetit, ndërsa vizitonte prokurorinë e Durrësit, kryeprokurori i porsazgjedhur Olsian Çela do të deklaronte më 7 dhjetor 2019 se “reagimi i prokurorisë dhe zbatimi i ligjit do të jetë korrekt dhe i prerë. Në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimin”.
Por një vit pas tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe 1 miliardë euro dëme, të dyshuarit si përgjegjës për tragjedinë janë jashtë hekurave të burgut”
Kur Shqipëria ishte ende e mpirë nga tragjedia, tri prokurori, ajo e Durrësit, Tiranës dhe Krujës çelën menjëherë hetimet, për të zbuluar përgjegjësit për shembjen e pallateve dhe hoteleve dhe me bujë u njoftua pak javë më vonë, goditja e mbi 50 personave.
Durrësi ishte qyteti më i goditur me disa pallate, hotele dhe banesa private disa katëshe të cilat u rrënuan. Në këtë qytet u bënë dhe arrestimet e para. “Prokuroria e Durrësit, gjatë mbrëmjes së djeshme lëshoi 17 urdhëra ndalimi nga të cilat 9 prej tyre janë ekzektuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë të implikuar. Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit”, bëri të ditur më 14 dhjetor, në një konferencë shtypi të përbashkët me Prokurorinë drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu.