Një gol i Danilos në minutën e 92-të i ka mohuar fitoren Atalantës dhe i ka dhuruar një pikë të çmuar Juventusit në supersfidën e ditës së sotme në Serie A.
Në “Gewiss” të Bergamos është zhvilluar një ndeshje plot emocione, Malinovskyi ka zhbllokuar sfidën me një supergol, por Danilo ka barazuar gjithçka në kohën shtesë.
Një pikë që i shkon më shumë për shtat Juventusit, që merr rezultatin e 11 pozitiv radhazi në kampionat dhe ruan vendin e katërt në renditje.
Ndonëse nuk u shënua asnjë gol, pjesa e parë ka qenë e bukur dhe plot emocione në stadiumin “Gewiss”. Juventusi nis shumë mirë ndeshjen dhe mundohet të imponojë lojën e saj. Bardhezinjtë krijojnë dy raste të mira me Vlahovic dhe Dybala, por nuk arrijnë të shënojnë.
Me kalimin e minutave Atalanta fiton terren dhe shtyn përpara. De Roon nuk arrin që të devijojë topin në rrjetë, ndërsa Bonuçi shpëton portën e Juventusit pas parabolës së Koopmeiners. Edhe De Ligt bëhet protagonist, pasi bllokon me trup dy gjuajtje të Boga.
Edhe pjesa e dytë nis me ritëm, De Roon provon reflekset e Szczesny, ndërsa Juventusi përgjigjet me Dybala. Miqtë i afrohen golit me Vlahovic, por Sportiello grushton gjuajtjen e serbit. Provon edhe Rabiot, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.
Gasperini hedh në fushë Malinovskyi dhe ai i shpërblen besimin, duke shënuar një supergol, që zhbllokon këtë sfidë. Juventusi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, por është Atalanta që i afrohet dyfishimit me Hateboer, që godet traversën.
Bardhezinjtë mundohen të reagojnë në minutat e mbetura, por pa vënë në vështirësi serioze portierin Sportiello. Në minutën e fundit shtesë, Danilo shpëton nderin e “zonjës së vjetër” dhe shënon me kokë golin e barazimit.
Përfundon në barazim sfida direkte për Championsin dhe Juventusi largohet i lumtur nga Bergamo, sepse ka marrë një pikë në transfertë dhe ka ruajtur vendin e katërt në renditjen e Serie A.
Loading…