Para pak kohësh ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në rrugën Runik-Klladernicë të Komunës së Skenderajt, ku ka vdekur një person ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Rastin e aksidentit e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes Facebookut, duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe duke kërkuar kujdes gjatë ngasjes së automjeteve.
“Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, u informova që sonte ka ndodhur një aksident i rëndë rrugor në rrugën Runik – Klladernicë, përkatësisht në kufirin Kostërc – Klladernicë, me ç‘rast një person me iniciale Xh.H ka humbur jetën ndërsa një tjetër është lënduar rëndë. Ekipet mjekësore nga QKMF Skenderaj, me marrjen e informatës kanë reaguar menjëherë duke shkuar në vend të ngjarjes dhe dhënë ndihmën e parë për personat e lënduar. I lënduari që ka mbijetuar, pas marrjes së ndihmës së parë është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Gjendja e tij shëndetësore fatkeqësisht është e rëndë”, ka shkruar ai.