in

Mitrovica mes serbëve dhe shqiptarëve, Isa Boletini si garanci për ruajtjen e tërësisë territoriale

 

Mitrovica është qyteti i dytë më i madh në Kosovë, qyteti i përplasjeve të mëdha, qyteti i Isa Boletini, të cilin Beogradi vazhdimisht ka pasur dëshirë për ta gllabëruar në territorin e saj. Qyteti sot administrativisht është i ndarë në Mitrovicë të Veriut dhe Jugut por realiteti është krejt i ndryshëm nga ai i shtatë viteve më parë. Në veriun e administruar nga serbët, gjendet kulla e Isa Boletinit. Qe nga 2015 aty janë dhe eshtrat e Isës që për banoret e Mitrovicës janë garanci e ruajtjes së tërësisë territoriale të këtij qyteti.

Dikur kjo urë mbi lumin Ibër ishte shndërruar në arenë përplasjesh mes serbëve dhe shqiptarëve. Tani aty gjithçka është më qetë dhe si për ironi kjo zonë quhet Parku i Paqes. Trupat e EULEX, mbi urë tregojnë se tensioni është ende i pranishëm edhe pse dukshëm situata është krejt ndryshe nga ajo e disa viteve më pare.

Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës: Qyteti i Mitrovicës është qytet specifik që nuk trajtohet vetëm në Mitrovicë dhe në Prishtinë, por edhe në Bruksel dhe në Uashington. Ardhja ime në 2013, e kam gjet një Mitrovicë të shkretuar, një Mitrovicë pa perspektivë, një Mitrovicë të kontrabandës, një Mitrovicë me barrikada, një Mitrovicë me trupa e roje, të cilët ishin njerëz të pandërgjegjshëm të strukturave paralele të Serbisë dhe jam përballë me të të gjitha ato dhe kjo situatë tani është krejtësisht ndryshe. Duke falënderuar edhe ambasadorët, të cilët më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë: siç është ambasada amerikane, gjermane, angleze dhe holandeze, të cilët kanë qenë çdo herë me mua dhe kemi shkuar deri në Bruksel për të stabilizuar situatën; dhe e them lirisht se tani situata është krejtësisht ndryshe. Sipas raporteve te Policisë së Mitrovicës rënie të krimit ka me 63%, zbulime të krimit ka pasur 72.7% dhe jemi ndër qytetet më stabile në Kosovë. Nuk ka qenë e lehtë për ta bërë këtë. Kemi ende probleme, ende punë për të bërë, por deri këtu kemi arritur siç po e shihni. Qëllimi kryesor ka qenë që të bashkohen qytetarët e Mitrovicës dhe të mos e ndjejnë ndarjen e Mitrovicës, të cilën e kanë bërë paraardhësit e mi, por të jetë qytet i qytetëruar evropian pa dallim nacionalitetesh.

Keni ju kontakte me drejtuesit e Mitrovicës së Veriut?

Po sigurisht që po. Se pa pasur kontakte në këtë punë nuk do ta kisha të mundur ta bëja vetëm. Po kemi pasur kontakte dhe gjithmonë jemi marrë me çështje të cilat i kemi parë të rrugës të ndërtohet një besueshmëri, e cila ka qenë shumë e vështirë për tu ndërtuar në atë kohë. Për arsye që ju i dini së këta kanë instaluar në kokën e çdo serbi se kufiri shqiptaro serb do të jetë ne Urë të Ibrit dhe tani është vështirë që t’i bindësh ndryshe, sepse e ka pasur një përcaktim të paprekur. Kështu që tani e kanë kuptuar se ajo nuk mund të ndodhë dhe kanë krijuar shoqëri, afërsi mes njëri-tjetrit dhe ne jemi duke punuar edhe në pjesën e veriut për të bërë një shëtitore të bukur dhe një pankinë të lumit Ibër, i cili do të jetë shumë i bukur dhe do t’i përngjasë një qyteti të bashkuar dhe shpresoj se qyteti i qytetarëve të qytetëruar evropian do të bashkohen, do të bashkohen njëherë, por pjesa administrative duhet me e ditë se është problem për arsye se është me Planin Ahtisari dhe në bazë të planit të Ahtisarit është shpallë edhe Pavarësia e Kosovës dhe prekja e planit të Ahtisarit duhet të ketë 2/3 e Kuvendit të Kosovës, pra jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe të pakicës.

Nëse pyet për Mitrovicën, përgjigja e menjëhershme është,- cila e Veriut apo Jugut? Tashmë dhe sipas Pakos së Ahtisarit, Mitrovica administrohet në veri nga serbët dhe ne jug nga shqiptarët. Por, një bord i përbashkët që parashihte Plani Ahtisari për ta menaxhuar këtë zonë nuk është krijuar ende.

Lulzim Peci, drejtor Ekzekutiv i KIPRED-it: Mitrovica është e ndarë në dy komuna që kur është aprovuar Pakoja e Ahtisarit. Aty ka qenë e parashikuar që të ketë dhe një trup për bashkëpunim mes dy komunave tanimë. Mirëpo, ajo, nuk ka funksionuar ende. Në pjesën veriore ekziston një dyzim i strukturave legale të Kosovës me strukturat paralele serbe dhe praktikisht i tërë Veriu është në një kontroll politik të Serbisë, e cila punon në kuadër të administratës së Kosovës. Kjo është gjendja reale, e cila ekziston në veriun e Kosovës duke përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut. Unë besoj se situata ka pas zhvillime pozitive në vitet e fundit. Nuk është siç ka qenë deri në vitit 2012-2013, deri në vitit 2015. Ka një lloj lëvizje pozitive, sepse funksionojnë edhe gjykatat, funksionon policia e Kosovës, administrata tatimore dhe pjesë të tjera të shtetit. Kjo është një qasje administrative e funksionimit, mirëpo për sa i përket përkatësisë organike, që të jetë pjesë e Kosovës, ende nuk është mbërritur tek ai nivel.

Që do të thotë nuk po bën aq sa duhet qeveria për administrimin e asaj zonë, i ka lënë më shumë hapësirë qeverisë së Beogradit?

Jo. Qëndron puna tek lojaliteti politik. Lojaliteti i serbëve të veriut është tërësisht i lidhur me Beogradin. Ata varen shumë prej sektorit publik, sepse ekonomia në pjesën veriore të Kosovës është fare pak e zhvilluar, sektori privat, kështu që shumë njerëz atje jetojnë në mëshirën dhe shtypjen e Listës serbe dhe të Beogradit.

Ndërsa lëviz në Mitrovicën e Jugut, kudo të shfaqet përpara Isa Boletini: rruga me emrin e tij, shtatorja, sheshi dhe ngado imazhe te tij. E nëse bisedon me qytetarët e Mitrovicës ata të tregojnë me krenari që ky është qyteti i Isës, strategut, politikanit, diplomatit, apo siç e quanin anglezet “Gjenerali me plis te bardhe”.

Pas shpalljes se pavarësisë, Ismail Qemali i ofroi Isa Boletinit postin e Ministrit të luftës, e ndryshe nga ajo që shohim sot, ai e refuzoi me argumentin se nuk kishte arsimin e duhur.

Enis Kelmendi, historian: Ai e ka refuzuar postin që i është dhënë, atë të ministrit të Luftës dhe ka deklaruar se unë nuk kam shkollë të përfunduar. Unë e njoh terrenin, e njoh në praktikë luftën, por nuk e njoh si duhet dhe siç e kërkon shteti tanimë i krijuar shqiptar. Dhe për këtë ai ka propozuar një emër tjetër që të jetë ministër lufte (Mehmet pashë Dëralla).

Të gjithë njohim Isa Boletinin luftëtar, por ai kishte një dëshirë e pasion të veçantë për arsimin, Kjo vërtetohet me faktin se kulla e tij u kthye ne shkollë, e me pas hapi edhe shkollën e parë në ato anë.

Isa Boletini njihet si një person që e ka njoh dhe e ka dashtë arsimin. Pikërisht duke u nis nga kjo, ai e kontrakton një mësues privat dhe e vendos këtu në kullën e tij, për t’i mësuar jo vetëm anëtarët e familjes së vet, por të gjithë djemtë e këtyre fshatrave kanë pas të drejtë me ardhë, me u shkollu në kullën e Isa Boletinit, madje ai ka ndikuar që të hapë edhe shkollën në një fshat tjetër në Mitrovicë, që është fshati Koshtovë. Këtu pas kullës, ku është dhe manastiri, e gjithë toka iu ka uzurpu se e kanë pas pushtetin. Aty është ende shtëpia, ku kanë qenë dhe 15 konaqe (shtëpi) të tjera, që shërbenin për vendosjen e delegacioneve të ndryshme që kanë ardhur në Boletin, si nga Perandoria Osmane, delegacione, ambasadorë, pashallarë, ministra etj. etj, që kanë ardhur e janë vendos këtu; ai e ka pas vendin e veçantë.

Nga tre martesat e tij, Isa Boletini pati 9 djem, të cilët ishin arsimuar në shkollat më të mira, por që patën një fund tragjik.

Gazmend Boletini, nipi i Isa Boletinit: Isai kishte 9 djem dhe 5 vajza nga këto martesa. Fëmijët i ka shkolluar shumë. Nëpër shkollat më të mira në Evropë, në Stamboll, në Romë dhe Vjenë. Halili djali i madh, Muja dhe nipi i tij, Tafili mbaruan shkollat pedagogjike në Stamboll. I biri i tretë, Ademi kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Modena të Italisë, me gradën nënkolonel. Ai është nder themeluesit e parë te shkollave ushtarake në Tiranë, Durrës e Shkodër. Është martuar me Adile Bekteshin nga Shkodra. Në nëntor të vitit 43, Ademi vritet me atentat nga Vasil Shanto. Pas vrasjes së tij, kur në pushtet vjen Enveri arrestohet dhe Adilja, e cila ka zotëruar pesë gjuhë të huaja, bën burg në Shkodër, ku sëmuret dhe vdes.

Për dy djem e tij, Isain dhe Enisin kujdesen dajat e tyre, doktor Selami Bekteshi ishte një nga mjekët e parë në atë rajon. Për fat të mirë njëri bëhet doktor. Doktor Enisi ishte një nga mjekët më të njohur në Shqipëri, stomatolog dhe Isai kishte kryer Fakultetin e Difit dhe ishte arbitër volejbolli. Djali i katërt Zaiti, ishte në Akademinë Ushtarake në Vjenë dhe ishte kthyer dhe i ishte bashkangjitur Isait për ngritjen e flamurit në Vlorë dhe vdes 18 vjeç me Isain në Podgoricë. I pesti Pajaziti kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë të Austrisë; pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore zgjidhet komandant xhandarmërie në qeverinë e Xhafer Devës dhe pasi hynë forcat partizane në territorin e Jugosllavisë, Pajaziti largohet në Egjipt tek mbreti Faruk, sepse kishte një miqësi të jashtëzakonshme. Atje martohet sipas informacioneve që kemi me motrën e mbretit Zog, Nexhiden. I gjashti vjen Musa. Ai ishte apolitik. Ai merrej me biznesin e shtëpisë me gurët e Majdanit. Regjimi komunist e arreston Musën në shtepi në Mitrovicë ku e kishim buzë Ibrit dhe në mënyrën më mizore e masakrojnë në burgun e Mitrovicës. Edhe sot nuk e dimë varrin ku e ka.

Gjyshi im, ishte djali i shtatë i Isa Boletinit, Faiku. Gjyshi më ka lindur në Stamboll në vitin 1905. Në atë kohë sa ishte Isa i internuar tek Sulltani 1902-1906. Ai kishte mbaruar Akademinë ushtarake në Novisad dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë në zonën e Sveçanit ka mbrojtur kufirin nga bandat ccetnike që sulmonin shpesh. Pasi hyri komunizmi në zonat tona, ai i bashkangjitet grupit të Shalës së Bajgorës ku në mesin e tyre ishin Ukshin Kovaçica dhe me 14 prill te vitit 1947 gjyshi bashkë me nipin e tij, Jusufin, i cili ishte biri i Halilit, vriten krejt grupi dhe pas një jave serbet i kishin tërheqë kufomat nga varret ku i kishin varrosë dhe i kishin ekspozuar në qytetin e Mitrovicës, që t’i shihte popullata serbe pasi në atë kohë nuk besonin se i kishin vrarë. Djali i tetë, Asllani ishte avokat, jurist ishte Kryetar Bashkie ne vitin 1941 në Vushtri pasi kishin hyrë forcat gjermane. Pastaj Kryetar i Gjakovës dhe se fundi Kryetar i Prizrenit. Në vitin ’46, Asllanin e arrestojnë në Prizren dhe e pushkatojnë në Burgun e Prishtinës. Dhe së fundi Kapllani, djali i ntëntë kishte mbaruar Marinën në Itali. Dhe ka shërbyer në komandë në “Pazarin e Ri” është arrestuar dhe dënuar me 15 vjet burg në Mitrovicë.

Isa Boletini me dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili vriten në Podgorice në 1916.

Kalvari i gjatë i sjelljes së eshtrave në Kosovë dhe vërtetimi se ishin eshtrat e Isa Boletini morën shume vite.

Gazmend Boletini, nipi i Isa Boletinit: Për varrin e Isës janë përkujdes jashtëzakonisht klerikët myslimanë apo hoxhallarët në Podgoricë. Ka shkuar kjo si traditë njëri pas tjetrit, por ka qenë edhe guri i varrit, i cili ka qëndruar shumë vite në Podgorice kanë qenë varrezat e vjetra myslimane në vendin e quajtur Pobrezha dhe sipas shënimeve të Tafilit (nipi i Isa Boletinit) i cili tregon se i pari është varrosë Isa, djemtë, dy nipat, miqtë dhe së fundi kushërinjtë dhe janë ruajtur tradicionalisht njëri pas tjetrit, kushdo ka ardhur në post deri në vitet 70. Njeriu i parë që ka marrë iniciativën për sjelljen e eshtrave ishte akademiku, Ali Hadri pastaj e kishte kaluar punën te akademik, Pajazit Nushi pastaj Muhamet Shukriu ishte një nga figurat, i cili më së shumti ishte marrë me ccështjen e Isait. Kishte qenë shumë herë në Podgoricë dhe i kishte parë parametrat e varrezave, si janë dhe ku janë. Në vitin ‘98 kur ka filluar lufta në Kosovë, Mulla Idriz Demiri në atë kohë ka qenë Kryetar i Bashkësisë Islame për krejt Malin e Zi, Presidenti Rugova i kishte dhënë 2000 marka gjermane që të shkojnë dhe t’i sjellin eshtrat në Kosovë. Isa nuk e ka pas gishtin e majtë dhe pas Isës jemi përqëndru në bazë të renditjes që tregon dhe Tafili në librin e vet dhe kemi nxjerrë eshtrat. Dhe pastaj në flakën më të madhe ku gjendej Kosova, Isa erdh në vendin e vet.

Atëherë Presidenti Rugova kishte thënë se ma të sigurta do të kishin qenë në duart e profesor Mulla Asllan Muratit në bashkësinë Islame në Mitrovicë. Eshtrat u sollën nga Profesor Muhamet Shukriu së bashku me nipin tonë, Remziun. Për 14 vjet me radhë profesor Mulla Asllan Muratit i ka mbajt në oborrin e xhamisë, pastaj pas lufte i ka mbajtur në oborrin e shtëpisë së tij deri në vitin 2011. Shteti i Republikës së Kosovës kërkonte ta kishte një farë garancie nëse janë ato eshtra apo nuk janë. U bë nja aventurë; filluan dhe mediat të flasin. Ne kemi qenë këmbëngulës në kuptimin që ai është Isa dhe nuk ka tjetër. Për fat të mirë ka qëlluar bashkë me doktorin Arsimin, Tarja Formistu, një antropologe e cila i kishte bërë analizat edhe faraonit. Edhe nga eshtrat u shihnin se Isai ka qenë i gjatë. Me pyesin ccfarë moshe…. 52 vjeç është vrarë. Dhe pas matjeve dhe analizave përfundimisht doli Isa Boletini. Edhe ajo e kishte një gëzim dhe më tha duhet të nënshkruaj këtu dhe mua ma zgjati dorën dhe më përqafoj. E tërë bota,- tha, të ngrihet në këmbë, ky është Isa Boletini. E kam lexuar historinë, më kanë folur shumë për të dhe tani unë jam më e kënaqura. Kam parë një emocion te doktor Arsimi.

Në 2015 një debat i gjëre u zhvilluar për varrimin e eshtrave të tij mes Vlorës dhe Mitrovicës. Fillimisht ishte Presidenti Thacci dhe Kryeministri Rama që u dakortësuan që Isa Boletini të varrosej në Vlorë. Kjo solli një rezistence të fortë në Mitrovicë të cilët e donin Isën në kullën e tij dhe si garanci e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta konsideruar si pjesë të tyre kullën e Isa Boletinit çka u tentua edhe në pakon e Ahtisarit dhe gjithë Mitrovicën e Veriut.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës: Unë e di që Isa Boletini kudo që të varroset e ka vendin e vet për arsye se ka luftu për atë vend. Me gjithë mburrje e them se Isa Boletini i ka shumë shtëpia shqiptare, çdo vend çdo truall shqiptar. Por nuk duhet harruar asnjë herë se atje ku i ka mbledhë burrat në atë odë dhe ka kuvenduar si me i dalë Zot atdheut dhe në vendin e lindjes së tij, nuk ka kush që e mbulon atë pjesë më të çmueshme që ai të pushon aty ku ka lindur. Dhe kundërshtimi mes meje dhe Hashim Thaçit ka qene shumë i ashpër për arsye se ai kish përfitue të gjithë këshillin, e ishim vetëm tre kundër dhe vendosëm që të vendosën që ta varrosin në Vlorë. Kam marrë iniciativë duke thirr shoqërinë civile, intelektualët, kryetarë të komunave, familjen Jashari duke u përqendruar edhe në miqtë e mi të Shqipërisë siç është Lulzim Basha, kryetari i shtetit të asaj kohe krejt ishin me mu. Dhe në fund morëm vendim si kuvend komunal dhe ia dhamë qeverisë së republikës së Kosovës ditën e saktë. Por edhe në qoftë se nuk zbatohet vendimi të cilin e kemi marrë më parë që Isa Boletini të varroset në Boletin ne do t’i lëmë institucionet e Kosovës jashtë saj dhe do të marrë detyrimin për rivarrim vetëm komuna e Mitrovicës. U ndërmor një fushatë shumë ë madhe dhe pastaj u detyruan dhe ata ashtu siç kisha vendos unë.

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it: Varrosja e Heroit të Kombit në Boletin së bashku me bashkëluftëtarët e tij, unë mendoj se i ka vënë një vulë ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës në atë pjesë. Në versionin e parë të pakos së Ahtisarit kulla ka qenë nën zonën e mbrojtur të Manastirit të Sokolicës që është në Boletin. Për t’u kthyer pak dhe tek historia e Manastirit; Ky objekt fetar është bërë manastir në kohën e Millosheviçit. Përpara ka qenë kishë, ndërsa kjo si kishë e ka origjinën nga koha e gjyshit të Isa Boletinit. Në atë kohë ka pasur mjaft punëtorë që kanë qenë të besimit ortodoks dhe ata kërkuan që t’u mundësohet që ta kenë një faltorë aty që të mund të kryejnë ritet fetare në atë pjesë aty, gjyshi i Isa Boletinin e ka lejuar këtë dhe këtu qëndron gjeneza e asaj që sot është manastir. Në versionin e parë të pakos së Ahrisarit çuditërisht ishte vendos që Kulla e Isa Boletinit të jetë nën zonën e mbrojtur të manastirit. Kjo do të thotë që në kullën e Isa Boletinit e çka do që të ketë për rreth nuk do të mund të bëhet asgjë pa lejen e manastirit.

Dhe praktikisht pa lejen e Beogradit…

Po themi zyrtarisht pa lejen e manastirit… pas disa ndërhyrjeve dhe letrave që i janë dërguar nga Prishtina Presidentit Ahtisari i është bërë e ditur që mbajtja e kullës së Isa Boletinit nën juridiksionin e Manastirit është një gabim i madh, sepse e prek drejtpërsëdrejti historinë dhe identitetin e shqiptarëve në Kosovë. Por kjo e ka pas dhe një efekt tjetër sepse simbolika është përmbajtja e kullës së Isa Boletinit do të vendoste simbolikën e paqes apo te konfliktit të më tejshëm me serbët në Kosovë. Kjo është kuptuar shumë mirë nga Presidenti Ahtisari, i cili e ka ndryshu këtë version. Sot kulla e Isës së bashku me Manastirin janë një zonë e përbashkët e mbrojtur dhe e vetmja me pakon Ahtisari.

Por nipi i Isa Boletini, Gazmend Boletini është i lumtur që sot amaneti i Isës për t’u varrosur pranë gurit të shtëpisë është plotësuar.

Gazmend Boletini, nipi i Isa Boletinit: E shkëpus një pjesë të historisë së tij sepse dihet që sulltani, kishte qenë shumë këmbëngulës ta ndaloj Isën në Stamboll duke e parë autoritetin e tij dhe që kishte ndikim të jashtëzakonshëm tek populli i tij dhe i thotë te jap grada dhe ofiqe vetëm të qëndrosh, por ai ka thënë që më shumë e dua gurin e Boletinit se Sarajet e Stambollit, prandaj dhe e kemi vendos pranë atij guri më e varrosë.

Në luftën e ftohtë tashme mes serbëve dhe shqiptarëve në të dy anët e Ibrit qëndrojnë dhe heronjtë. Isa Boletini i kudo ndodhur dhe i kudo gjendur në pjesën jugore e tashme edhe në kullën e tij në Boletin. E në anën tjetër dominon Car Llazari, heroi i Serbisë. Shumë diskutime, hamendësime, teza si shkëmbim ndarje, bashkim, demarkacion, asociacion përfliten nëpër tavolina bisedimesh, media e analiza, por ajo që thuhet me siguri është se Mitrovica do të funksionojë e tera në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it: Asociacioni nuk e ka kapacitetin të shndërrohet në Republikën serbe. Sistemi kushtetues i Kosovës nuk e njeh nivelin e dytë të qeverisjes. Dhe vetë Marrëveshja e vitit 2015 që është nënshkruar në Bruksel thotë se statuti i asocacionit duhet të kalojë nëpër Gjykatën Kushtetuese dhe të verifikohet a është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Simbolika e ndarjes në këtë qytet megjithatë ndjehet. Por çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe serbët po e kuptojnë së bashkëjetesa është i vetmi opsion dhe bashkëpunimi në të mirë të tyre. /euronews.al./

Lini një Përgjigje

Rusia i bën ftesë Shqipërisë për vaksinën kundër COVID-19

“Kopësht malsori”, vëllim poetik i para një shekulli