in

Mes konstruktivitetit dhe frikës karshi Osmanit, a po i rrezikon LDK-ja “besnikët” e 14 shkurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që të jetë pjesë e seancës ku do të votohet Vjosa Osmani për presidente të vendit. Ky vendim i LDK-së është bërë publik gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media të kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku i cili tha se LDK-ja do të mbajë qëndrimin e saj konstruktiv karshi institucioneve.

“Që LDK, si gjithherë, do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për Presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj.”, tha Abdixhiku ndër të tjera në konferencë për media.

Por, ky vendim i Lidhjes Demokratike të Kosovës është interpretuar në dy mënyra diametralisht të kundërta në opinonin publik. Njëra ka të bëjë me konstruktivitetin politik të LDK-së dhe interpretimi tjetër ka të bëjë me frikën e LDK-së dhe Abdixhikut nga zgjedhjet e reja si dhe kalkulimet e tij politike.

Por, cila është e vërteta e vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi Vjosa Osmanit e cila e dëmtoi ish-partinë e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit me rreth gjysmën e votave krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019?

Mes konstruktivitetit dhe nënshtrimit:

Analisti politik Valon Syla në një prononcim për lajmi.net është shprehur se dy personalitete politike në Kosovë i frikësohen Vjosa Osmanit dhe ata janë sipas tij Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku. Kjo pasi sipas tij, nëse Vjosa Osmani formon partinë e saj, të dy taboret mund të dëmtohen.

“Janë dy subjekte dhe dy personalitete politike që i frikësohen Vjosa Osmani nëse ajo e themelon partinë, janë Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku. Lumir Abdixhiku me mbështetjen e Vjosa Osmanit e hek qafe një parti politike që do ta dëmtonte LDK-në, kurse Albin Kurti me mbështetjen e Osmanit presidente i siguron numrat për qeveri me 7 deputetët e saj dhe po ashtu eliminon influencën e deputetëve të tjerë që përfituan nga lista e tij, pra deputetët e Listës Vjosa.”, tha Syla për lajmi.net.

Një aspekt tjetër të cilin e nënvizon Syla në opinionin e tij mbi këtë çështje është fakti se të gjitha partitë politike i frikësohen zgjedhjeve, por gjithashtu thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës iu ka dhënë komoditetin opozitar partive të tjera.

Sipas tij, konstruktiviteti i Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi Osmanit është frikë që reflektohet nga humbja e thellë që ky subjekt politik e pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit duke dalë parti e tretë me vetëm 12,5 për qind të votave.

“Në esencë të gjitha partitë frikësohen nga zgjedhjet, edhe Vetëvendosja që kërcënon nuk dëshiron që një rezultat kaq të lartë ta humbasë në zgjedhje të reja, edhe AAK-ja që po punon në heshtje edhe LDK-ja i frikësohen zgjedhjeve. PDK-ja në këtë rast nuk ndien presion sepse LDK-ja e mori flamurin për të vendosur rreth Osmanit dhe i dha komoditet gjithë opozitës sepse partia e tretë tash del si konstruktive e në esencë është duke u frikësuar nga humbja e thellë që e pësoi.”, thotë Syla.

Ndryshe nga Syla mendon analisti politik Rasim Alija. Ai në një prononcim për lajmi.net thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës me qëndrimin karshi votimit të Osmanit për presidente ka minuar rolin e dy partive të tjera opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Tutje, Aliu shprehet se ky ka qenë ndër vendimet më të vështira të Abdixhikut si kryetar i sapozgjedhur, por që sipas tij nuk ka të bëjë as me frikë e as me kontruktivitet opozitarë.

“E para që duhet thënë është që qendrimi i LDK së, i hap udhë dhe e vulos procesin e zgjedhjes së presidentes. Së dyti po ky qendrim i LDK e redukton në papërfillshmeri rolin e dy subjekteve tjera opozitare, PDK e AAK në procesin e zgjedhjes së presidentes. Ndërkaq për LDK-në dhe kryetarin i sapozgjedhur të sajë, ka qenë prej vendimeve më të vështira për tu marrë. Nuk besoj që aryseja e vendimit pro Vjoses ka të bëjë me frikë karshi zgjedhjeve, as konstruktivitet opozitarë.”, tha Aliu për lajmi.net.

Aliu thotë se ky vendim është kombinim i tri aspekteve; faktit që Osmani ka qenë kandidate e LDK-së për kryeministre, e dyta se LDK-së do t’i ndërtohej qëndrimi se me sabotim e ka dërguar vendin në zgjedhje dhe e treta, të çojë sinjalin në Vetëvendosje se Vjosa Osmani mund të rikthehet në LDK.

“Ka të bëjë më shumë me një qasje ndryshe të kryesisë së re, kombinuar me tre elemente. I pari që Vjosa jo më larg se para një viti e gjysem ka qenë kandidate e LDK-së për kreyemnistre, dhe kjo ka peshë edhe politike edhe morale. E dyta, LDK po të dilte kundër Osmanit, do ti ndërtohej tregimi se po e saboton procesin e zgjedhjes së presidentes dhe po shkakton zgjedhje të reja. Dhe e treta, LDK me voten pro karshi Vjoses, po tenton ti dërgoj sinjal LVV, se në të ardhmen mund të ketë një rikthim të listes Vjosa në LDK.”, thotë Alija për lajmi.net.

A mund të humbë Lidhja Demokratike e Kosovës elektoratin që i qëndroi besnikë më 14 shkurt me votimin e Osmanit presidente? 

Analisti Valon Syla thotë se çelësi i suksesit në politikën e re të Lumir Abdixhikut është ruajtja e 111 mijë votuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas tij, lojalistët e LDK-së nuk e shohin të arsyeshëm votimin e Vjosa Osmanit për presidente dhe kështu kjo mund të ndikojë në këtë pjesë të elektoratit e gjithashtu, ai përmend faktin se disa deputetë të LDK-së si Agim Veliu, Driton Selmanaj e Avdullah Hoti janë kundër që Osmani të bëhet presidente.

“Çelësi i suksesit në politikën e re të Lumir Abdixhikut në LDK është t’i ruaj 111 mijë votat që i qëndruan besnikë LDK-së, ndërsa Abdixhiku po synon që duke e votuar Vjosën t’i kthejë votat që i humbi me Vjosën. Bixhozi politik i Lumir Abdixhikut mbetet të shihet nëse do të ruaj këtë bazën që i qëndruan lojal, sepse lojalistët në LDK nuk e shohin të arsyeshme votimin e Vjosës dhe ata përfaqësohen në LDK me një numër të deputetëve që po aq nuk mund t’ia bëjnë numrat Vjosa Osmanit. Pra tre deputetë janë kundër, është Agim Veliu, është Driton Selmanaj është Avdullah Hoti është Vlora Dumoshi që ka dyshime, Pacolli nuk është ftuar dhe pres që a do ta ftojë Abdixhiku ose Kurti dhe kjo është pak a shumë gjendja, shembull Arben Gashi nuk e dijmë se çfarë qëndrimi ka, ka persona që nuk janë deklaruar e që mund të mos jenë në vijë me Vjosën.”, shprehet Syla për lajmi.net.

Në anën tjetër, analisti Alija thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të pësojë humbje më të thellë sesa kjo që e ka pësuar me 14 shkurt.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës me udhëheqjen e re do të përjashtonte nga partia zërat që dalin kundër vendimit të Kryesisë së partisë sepse sipas tij LDK-ja nuk do të vazhdojë kulturën e mosndëshkimit të njerëzve me qëndrime të kundërta brenda saj.

“Jo nuk besoj. Me poshtë se sa rezultati i 14 shkurtit, asnjë termet tjetër politik që lidhet me LDK-në nuk besoj se do mund të shkaktohej. Për më shumë ky qendrim i LDK-së pro Osmanit, është rezultat i shumicës, dhe vendim edhe i strukturave të LDK-së. Pa qka, që ka zëra kundër brenda LDK-së, por zërat e tillë mezi kanë fituar mandatin për të qenë deputet. Për më teper besoj se çdo vendim kundër vullnetit dhe qëndrimit të marrë në kryesinë e LDK-së, kësaj radhe do të ketë pasoja. Madje në një situat ku deputet të LDK-së do të dilnin kundër këtij vendimi, do mund të shihnim edhe përjashtime nga partia me automatizem. Nuk besoj që LDK-ja e re, do ta vazhdoj kulturen e mosndëshkimit që ja kanë shkaktuar ndër vite njerëzit e sajë me qëndrime të kundërta. Dhe kjo do të jetë edhe sfida e radhes për kryetarin dhe kryesinë e re të LDK-së.”, tha Alija.

Votat e Vjosa Osmanit për presidente: 

Lëvizja Vetëvendosje me 58 deputetë, komunitetet jo-serbe me 9 deputetë dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 deputetë do të mbërrinin numrin e 82 deputetëve dhe kështu do të sigurohej kuorumi për votimin e Vjosa Osmanit edhe në rast se ajo zgjidhjet me 61 vota në raundin e tretë, mirëpo kjo mund të shkaktojë probleme pasi ka deputetë brenda LDK-së të cilët ende nuk dihet nëse do të votojnë dhe nëse do të rrijnë në seancë, siç janë Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj.

Veç kësaj, Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shpresë edhe tek 11 deputetët e Listës Serbe të cilët nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje por që mund të jenë pjesë aktive e seancës ku Osmani do të votohet për presidente dhe kështu, LVV dhe Osmani aktualisht i kanë në ‘lojë’ 93 vota, heq këtu votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës që janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e votimit të presidentit.

Osmani është në prag të sigurimit të votave të mjaftueshme që e mundësojnë mbajtjen e seancës dhe kështu, nëse nuk votohet me 81 votë pro, ajo do të ketë mundësinë e zgjedhjes me 61 vota në raundin e tretë në rast se plotësohet kushti i kuorumit prej 81 votave në dy raundet e para.

Data e fundit për zgjedhjen e presidentit është data 5 maj, ndërsa sipas procedurave ligjore dhe kushtetuese preferohet që presidenti/ja të zgjidhet saktësisht një muaj përpara se të skadojë ligjërisht mandati./Lajmi.net 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Arrestohen edhe 10 persona, shkon në 18 numri i tyre

Burri ther me thikë gruan e vet