Një qen që u hodh në sulm përkundër plagosjes nga breshëria e plumbave të Al-Kaidës, për të shpëtuar ushtarë të forcave speciale britanike, u dekorua me ekuivalentin e Kryqit Viktoria për kafshë, PDSA Dickin. Kryqi Viktoria është medalja më e lartë dhe prestigjioze në sistemin britanik të nderimeve për ushtarë.
Një bastisje që ushtarët britanikë po kryenin në Afganistan, mori një kthesë jashtëzakonisht të rrezikshme kur u zunë në pritë nga një mitraloz i Al-Kaidës. Meqenëse asnjëri prej tyre nuk mund të lëvizte nga vendi pa u plagosur ose humbur jetën, qeni Kuno u lëshua në sulm. Përkundër breshërisë së plumbave, që e goditën në të dy këmbët e pasme, Kuno, racë Belge e qenve të stanit, nuk u ndal dhe e neutralizoi rebelin duke e kafshuar në dorë dhe duke mos e lëshuar. Kjo mundësoi që ushtarët ta neutralizonin rrezikun, dhe pastaj ta dërgonin Kunon për operim emergjent. Qeni Kuno, atëherë 4-vjeçar, shpëtoi pas shumë operimeve, megjithëse u desh t’ia amputonin njërën nga putrat. Që prej asaj kohe ai është pajisur me gjymtyrë prostetike. Tani në pension, atij iu dha medalja PDSA Dickin, marrësi i 72-të, për përkushtimin e tij në detyrë. “Kuno është një hero i vërtetë”, tha Jan McLoughlin i PDSA-së. Veprimet e tij atë ditë padyshim ndryshuan rrjedhën e një misioni jetik, duke shpëtuar jetë të shumta në këtë proces. “Megjithë plagosjen gjymtuese që e pësoi në këtë sulm, ai e kreu detyrën e tij pa u lëkundur aspak” tha ai. “Për këtë guxim dhe përkushtim ndaj detyrës, ne jemi të nderuar ta mirëpresim atë si marrësin më të fundit të Medaljes Dickin PDSA,” tha sekretari i Mbrojtjes së Britanisë, Ben ëallace: “Kjo medalje është dëshmi e stërvitjes, guximit të palodhur dhe përkushtimit të tij ndaj detyrës, i cili pa dyshim shpëtoi jetë atë ditë.
“Jam shumë krenar për rolin që qentë tanë ushtarakë kryejnë në operacionet brenda dhe jashtë vendit,” shtoi z.ëallace. ”Historia e Kunos na kujton largësitë që kalojnë këto kafshë për të na mbajtur të gjithëve të sigurt.”
Medalja PDSA Dickin u themelua nga bamirësja Maria Dickin më 1943. Ajo besonte se nëse kafshët do të njiheshin për veprimet e tyre heroike, kjo do të ndihmonte që statusi i tyre të ngritej në shoqëri dhe si rezultat të siguronin një trajtim më të mirë nga njerëzit. The Metro / The Daily Mail