Në Kuvendin e Kosovës sot është miratuar Projektligji për rimëkëmbje ekonomike që synon zbutjen e ndikimit të pandemisë në ekonominë e vendit.
Votimit me 72 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër i ka paraprirë fjala e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti si dhe debati midis deputetëve.
Kryeministri Hoti tha se katër amendamentet e propozuara nga partia opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për projektligjin në fjalë nëpërmjet Komisionit për Buxhet dhe Transfere, e kanë pasuruar projektligjin.
Hoti vlerësoi se tani është koha e duhur për t’u dalë në ndihmë bizneseve.
“Dua t’i falënderoj publikisht deputetët e PDK-së. Besoj se këto katër amendamente e kanë pasuruar pakon. Do të jetë kosto më e madhe për buxhetin, por është momenti i vetëm kur shteti duhet t’u dalë në ndihmë bizneseve”, ka thënë ai.
Amendamenti më i përfolur i propozuar nga PDK-ja është rimbursimi i qytetarëve me 10 për qind të mjeteve që mund t’i tërheqin nga llogarite e tyre në Trustin pensional, ku nga Qeveria do të rimbursohen ata që kanë deri në 10 mijë euro në llogari, ndërsa ata mbi këtë shumë nuk rimbursohen.
Pikat tjera të propozuara nga PDK-ja janë: Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës të përkrahen me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë.
Ndryshe nga PDK e cila e përkrahu LDK-në në votimin e këtij projektligji me kusht futjen e amendamenteve të tyre propozuese, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar votimin e tij duke thënë se ai është “i pa specifikuar dhe jo konkret në zbatueshmëri”.
Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.
Në këtë Projektligji, thuhet gjithashtu se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ky projektligj i cili nga sot u shndërrohet në ligj do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Ndërsa, pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike./AA/