Shkruan: Mevi Rafuna
___
Në këndvështrimin tim po i shkruaj edhe unë disa rreshta për Lëvizjen e Deçanit dhe islamin politik që është duke ba gërdinë Dardani…
Si femër shqiptare, edhe nëse mbes e fundit në botë, nuk do e kisha pranuar shaminë apo feregjen arabe që mbulon identitetin dhe fytyrën time. Diellin dua ta shoh me sy të hapur dhe nuk i fshehem dot qenies sime femërore.
Si nanë nuk dua që fëmiu im të rritet me robërinë e shpirtit tim, nuk dua që fëmiu im të besojë se femra është gjysmake dhe nuk dua nesër të më fajsojë për paditurinë time! Si një intelektuale unë jam rritur duke lexuar Rilindasit tonë, në veçanti At Gjergj Fishtën i cili e ka ndrydhur shpirtin në letër duke shkruar me dhimbje të thellë deri në ferr dhe me madhështi deri në qiell për qenien tonë shqiptare.
Nuk mundem ta tradhëtoj veten time, se unë në Europë me këdo që flas, sidomos me personalitete të ndryshme, njësohem me Gjergj Kastriotin, Shën Nanë Terezën, Ibrahim Rugovën, Elena Gjikën e shumë e shumë personalitete që e dhanë gjithë shpirtin dhe energjinë e tyre, që mos të zhdukemi si komb në Europë.
Ka vite e vite që kam shkruar kundër islamit politik dhe unë çmenduritë e vehabistëve nuk mundem t’i përqafoj dhe ti vesh si rroba në trupin tim.
Që nga pas lufta është duke u tentuar që Republika e Dardanisë e fituar me gjak e lotë të shndërrohet në Provincë Islamike. Bashkësia Islame e Kosovës së bashku me politikanët, mediat, bizneset dhe OJQ-të e ndryshme janë duke e terrorizuar popullin psiqikisht. Në luftën e Sirisë qindra të rinjë trushpërlamë nëpër xhamijat e Erdoganit dhe BIA-s serbe u dërguan atje për të vrarë fëmijë të pafajshëm sirianë…
Siç ishte rasti i fundit me kriminelin serb Radoiçiç i cili qëndron pas sulmit terrorist në Vienë, duke përdorur një vehabist shqipfolës.
Lëvizja e Deçanit- është shpresë për shqiptarët që e shohin të ardhmen e shtetit të tyre në Europë. Edhe Arabia po e dërgon një Miss pa shami në gara botërore- pse ne duhet ta marrim prapambeturinë shpirtërore dhe fizike dhe ta bartim si një gur të rëndë në nyjet tona.
Çdo shqiptarë që ëndërron dhe beson në vlera autoktone duhet të reflektoj dhe t’i thotë “Mjaft” – planit të Vaso Çubriloviç-it në Dardani. Nuk duam ta bartim zgjebën e dikujt tjetër në trupin tonë.
Çfarë na duhet ky shpellarizëm?Ku na hynë në punë?I shikuam të gjithë Arbëreshët e Italisë, por madhështor u treguan edhe shqiptarët në Zvicër dje. Europa ka një luftë të heshtur dhe refuzim ndaj islamit politik por askush më shumë se shqiptarët nuk e kanë paguar plagën më të rëndë, ku helmin na e servuan me bakllavë.