in

LDK do të jetë parti e madhe gjithmonë

 

Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, në një intervistë për Rubikon ka thënë se një parti e madhe si LDK-ja gjithmonë hyn në garë për të fituar vendin e parë.

 “LDK-në do ta votojnë shumë më shumë dhe vota s’është çështje e projeksioneve. Një parti e madhe si LDK hyn për t’i fituar zgjedhjet. Edhe kësaj radhe do të hyjë për këtë. LDK do të jetë parti e madhe gjithmonë”, ka thënë Shala.

Shala tha se LDK-ja nuk do ta votonte asnjë president, qoftë Vjosa Osmani apo Ramush Haradinaj, pa një marrëveshje politike paraprake.

“Situata me Ramush Haradinajn para aktgjykimit të Kushtetueses ishte tjetër sepse Kosova s’kishte President dhe ne kemi një afat kushtetues për ta zgjedhur atë. Pretendimi politik i Haradinajt në atë situatë është normale. Por tash po garojmë për parlament. Tash kjo është një çështje e aleancave. LDK s’voton askënd nëse s’ka aleancë”, ka deklaruar Shala në Rubikon.

Shala tha se s’mund të kërkohet vota për Osmanin presidente nga deputetët e LDK-së sepse fillimisht duhet marrëveshja.

“Marrëveshja politike para se të bëhet për emra, bëhet për qëllime. Është themelore që subjektet politke ta dinë që pas këtyre zgjedhjeve nuk mjafton një shumicë e thjeshtë parlamentare për krijimin e institucioneve dhe kjo iu jep mundësi aleancave dhe marrëveshje politike. LDK nuk hyn për emra, por pastaj diskuton edhe emrat”, ka thënë ai.

“Kur pashë listën e VV-së u përpoqa ta definoj në kuptimin ideologjik, por tash po shoh që po zhbëhet ideologjikisht. VV ka qenë qartësisht neo-marksiste… A nuk i keni parë veprimet në institucione dhe në rrugë – presioni që nuk njeh ligjin dhe kushtetutën – e gjitha kjo është një gjë që unë shpresoj që e ka kapërcyer”, tha Shala në Klan Kosova.

“Ka pasur edhe origjinë edhe artikulime të qarta neo-marksiste. Tash nuk mund të them qartësisht se çfarë është”.

Shala ka theksuar se bashkëpunimet ndërmjet subjekteve politike bëhen në funksion të disa qëllimeve.

“Tani ne të përjashtojmë mundësinë e një bashkëpunimi politik nuk është normale – duhet ta shohim rezultatin dhe pastaj të vlerësojmë”, tha ai.

“Bashkëpunimin politik unë nuk e përjashtoj asnjëherë dhe me askënd. Duhet t’i presim rezultatet dhe pastaj të bisedojmë për çështjet”.

“Bashkëpunimet nuk bëhen që të bëhen bashkëpunimet, por bëhet në funksion të disa qëllimeve”, tha Shala.

Lini një Përgjigje

Sot vendoset fati i kandidatëve që kanë probleme me ligjin

Prekazi i Prekës