in

Lajçaku mund të zgjidhet edhe për një mandat

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar mundësinë që mandati i të dërguarit të veçantë të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të ripërtërihet edhe për një vit.

Lajçak, i cili u emërua në prill të këtij viti për të udhëhequr dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mandat njëvjeçar, i cili skadon në prill të vitit 2021. Sipas disa burimeve evropiane, të cilat deshën të mbeten anonime “është mjaft e sigurt të supozohet se atij do t’i zgjatet mandati për një vit tjetër”, natyrisht nëse merret parasysh se deri në përfundim të mandatit aktual nuk arrihet marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Lidhur me procedurat e emërimeve dhe riemërimeve të të dërguarëve të posaçëm, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka precizuar se kjo është kompetencë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Mandatet e të gjithë të dërguarve të veçantë përcaktohen në parim për një vit, por ato vazhdohen apo rinovohen rregullisht për sa kohë që shtetet anëtare të BE-së pajtohen se çështjet për zgjidhjen e të cilave u krijua posti në fjalë, vazhdojnë ende dhe kërkojnë vëmendjen dhe përpjekjen e vazhdueshme të këtij personi. Pra, në rast se z. Lajçak i afrohet fundit të mandatit të tij zyrtar, kjo nuk do të thotë që dialogu ose lehtësimi i BE-së do të ndalet”, ka thënë Stano për Radion Evropa e Lirë.

Stano: Nuk po vendosim afate artificiale

Në muajin prill të këtij viti, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë që detyra e tij është që ta përfundojë suksesshëm këtë dialog dhe të sigurojë që Kosova dhe Serbia një herë e përgjithmonë t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Në tetorin e këtij viti, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.

Mirëpo, që nga marrja e mandatit, në prill, Lajçak ia arriti që të ringjallë dialogun në korrik, por vetëm tri herë i ka mbledhur liderët në takim, ndonëse mëtonte që takimi në nivelin më të lartë politik të organizohej çdo tre javë.

Herën e fundit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar më 7 shtator, kur edhe u hap tema e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lini një Përgjigje

Palmer: SHBA-BE të bashkëpunojnë më shumë në çështjen Kosovë-Serbi

Mike Pompeo futet në karantinë, ndonëse rezulton negativ