Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kthyer përgjigje KQZ-së lidhur me ata persona që kanë kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit, por që kanë qenë të dënuar nga gjykata për vepra penale. Gjithsej kanë qenë 47 persona që kanë pasur probleme me ligjin e në mesin e tyre është edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti. Por ai është shprehur se nuk ka marrë kurrfarë vendimi nga KQZ-ja.
“Unë nuk jam në dijeni për kurrfarë vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo çka po vërej në Kosovës është një entuziazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prin, por edhe populli në Kosovë, besoj që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021. besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”, ka deklaruar Kurti.


