in ,

Ku mund të udhëtojnë pa viza fatkeqët e Kosovës

Përgatiti Valmir Mehmetaj

Që nga viti 2006 Henley Passport Index bënë renditjen e të gjitha pasaportave të botës sipas numrit të destinacioneve ku mbajtësit e tyre mund të udhëtojnë pa viza paraprake.

Qytetarët e Kosovës e dinë më së miri se të kesh pasaportën e këtij shteti do të thotë vetëm se ke mundësinë të vraposh nëpër ambasada për një vizë, por pa asnjë garancion se do ta marrësh.

Fakikisht, është e kundërta. Pasaporta e Kosovës mund të t’i rrezikoj seriozisht shancat për një vizë.Edhe Kosova figuron në këtë listë që nga viti 2010. Për këtë vit ajo është renditur si e 102-ta, nga gjithsejt 110 vende të listuara. Duket se Kosova është duke rënë poshtë e më poshtë nga viti në vit. Më 2010, kur u listua për herë të parë, Kosova renditej e 89-ta, ndërsa dy vite më parë ishte e 98-ta, jo se ka ndonjë rëndësi të veçantë edhe ashtu.

Jemi pothuajse të fundit, vetëm shtete që janë ende në konflikt apo kanë dalur nga to rishtazi janë më poshtë se ne si p.sh Afganistani, Siria, Territoret Palestineze, Iraku, Jemeni e Korea e Veriut.  Duhet theksuar se matjet e kësaj organizate citohen si nga institucione shtetërore ashtu edhe nga medie kredibile ndërkombëtare, andaj edhe nuk ka hapësirë për dyshime sa i përket renditjes.

Renditja bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), baza e të dhënave e së cilës është më e madhja dhe më e sakta në botë, sa i përket informacionit të udhëtimeve. Renditja përmirësohet vazhdimisht nga kërkimet e vazhdueshme të Departamenti i Kërkimeve Henley & Partners, thotë ëebsajti i kësaj organizate.

Ku mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës pa viza?

Sipas listës janë 40 destinacione ku qytetarët e Kosovës lirisht mund të shkojnë pa ndonjë dokument paraprak. Këto vende shtrihen në 5 kontinente të botës, andaj merrni zemër o bij të Kosovës.

Nga koninenti i Evropës, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në këto vende: Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë.

Nga Azia, qytetarët e Republikës së Kosovës pranohen pa viza nga Laosi, Makao, Maldivet, Nepali (aty ku gjendet Maja e Everestit), Shri Lanka, Timor-Leste (Timori Lindor) si dhe shtete të Lindjes së Mesme si Irani, Jordani, dhe Turqia.

Nga kontinenti i Afrikës janë këto shtete: Ishujt e Kepit të Verdës (Kepit të Gjelbër, Ishujt e Komores, Gambia, Guinea-Bissau, Madagaskar, Mauritania, Mozambiku, Ruanda, Sisheli, Somalia, Tanzania, Togo e Uganda.

Nga Oqeania janë Ishuj Kook, Ishujt Marshall, Mikronezia, Niue, Ishujt Palau, Samoa dhe Tuvalu

Nga Amerika janë Bolivia, Ekuadori, si dhe ca shtete të Karaibeve si Republika Dominikane, Haiti,  Xhamajka, Shën Vincenti dhe Grenadinet.

Ja këto janë shtetet të cilat për një arsye apo tjetër na pranojnë atje pa viza. Fatkeqësisht në kontinentin e Evropës, ku gjendet edhe shteti i vogël i Kosovës, na pranojnë vetëm fqinjët, edhe atë jo nga qejfi por nga zori. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në këto shtete, saqë aspekti logjistik do ta bënte të pamundur regjimin e vizave.

Poshtërimi që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës fundja nuk duket se ka ndonjë justifikim të qëndrueshëm. është e vërtetë se korrupsioni është i përhapur gjithandej, nga institucionet qeveritare e deri tek qytetarët e thjeshtë, mirëpo kjo dukuri nuk është unike për Kosovën. është e vërtetë se deri vonë Kosova është udhëhequr nga individë që tërhiqnin zvarrë mbrapa vetes bagazhe të tëra me akuza për krime nga ato ordinere, e deri tek ato kundër njerëzimit. Sërish, Kosova nuk është e vetmja.

Shtete të tjera që kanë tashmë liberalizim vizash me Bashkimin Evropian kanë pothuajse të njejtat probleme që i ka edhe Kosova. Andaj është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë një justifikim të qëndrueshëm se përse po e mban Kosovën të izoluar.

Sa i përket shteteve të tjera jashtë Evropës, të cilat e kanë njohur Kosovën, arsyeja e pamundësisë së udhëtimit pa viza mund ti mveshet diplomacisë së jashtme. Tashmë e 20 vite Kosova vazhdimisht dërgon përfaqësues politik me kualifikime të dyshimta,për të prezantuar atë nëpër botë.

Pa ndryshuar mentaliteti që i konsideron si të zotë e superior ata që  arrijnë sukses përmes korrupsionit e lidhjeve kriminale , dhe pa u vendosur meritokracia si vlerë kryesore në çdo vend qoftë ai privat apo shtetëror, edhe më tutje do të na duhet të presim lëmoshë e keqardhje nga të tjerët për të përparuar e përmirësuar gjendjen tonë qoftë sociale apo individuale. 

Lini një Përgjigje

Ja kush do t’i prijë listës së VV-së në zgjedhje

Shpallen pasaportat më të fuqishme të 2021-tës