Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka kërkuar nga prokurorët në Kosovë që të mos frikësohen nga llogaridhënia.
Një kërkesë të tillë për prokurorët, Kosnett e bëri përmes një video incizimi që u prezantua të premten gjatë mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç llogaridhënies, ambasadori Kosnett kërkojë nga prokurorët që të mbajnë standardet më të larta në jetët e tyre pasi siç tha, qytetarët presin nga ta që të jenë kampionë në zbatimin e ligjit.
“Nëse prokurorët nuk i respektojnë këto rregulla, kush duhet?”, tha Kosnett gjatë fjalimit të tij, ku e vuri theksin edhe të respektimi i masave anti-COVID.
Gjatë fjalimit të tij, Kosnett përmendi edhe ngjarjet që ndodhën në fillim të janarit në Kongresin e SHBA-ve për të cilat tha se ka qenë i shokuar, por siç tha, pavarësisht asaj, demokracia në SHBA arriti të qëndrojë.
Gjithashtu, ambasadori amerikan përmendi edhe shembullin e Anton Çettës, si shembull kur një individ mund të sjellë një ndryshim të madh për çka nga prokurorët kërkojë që të marrin si inspirim.
Ndryshe, gjatë kësaj konference, fjalë rasti dhanë edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadorët e vendeve tjera.
Osmani tha se nga prokurorët pritet integritet, profesionalizëm dhe që të kenë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.
“Si presidente në detyre dhe gjatë gjithë karrierës sime kam kërkuar rend dhe ligj dhe unë ende jam aleat i juaj në ketë kauzë”, tha Osmani.
Kurse, ministri në detyrë i Ministrisë së Drejtësisë, Selim Selimi, tha se me ndryshimet e fundit në legjislacion si dhe me dokumentet e reja të vettingut dhe rishikimit funksional do të ndihmohet puna e prokurorëve duke përfunduar fjalimin e tij se politika duhet t’i mbaj duart larg nga drejtësia.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, tha se duke qenë se sapo është zgjedhur në këtë pozitë, do të angazhohet në për të rritur nivelin e llogaridhënies, transparencë, efikasitet dhe cilësisë. Në fokus, Maloku tha se do të ketë rastet disiplinore ku tha se çdo sjellje jo e rregullt duhet të ndëshkohet.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, tha se puna e prokurove duhet të filloi me udhëheqjen e rasteve dhe se të njëjtat duhet të mos ndalen deri të përfundojnë me aktakuzë e dënime në gjykatë, duke shtuar se konfiskimi i pasurisë të fituar me vepër penale është esencial në këtë aspekt. Ndryshimet ligjore, duke përfshirë edhe Kodin e ri të Procedurës Penale, sipas shefit të BE-së në Kosovës, do të kenë efekte pozitive nëse do të aplikohen.
Fokus të shtuar në konfiskimin e pasurisë të fituar nga vepra penale kërkuan edhe ambasadorët e Zvicrës dhe Holandës, Thomas Kolly dhe Carin Lobbezoo. Kjo e fundit pati edhe tri sugjerime për prokurorët.
Lobbezoo iu sugjerojë prokurorëve që të komunikojnë me median në mënyrë që të ndërtojnë besimin e publikut në institucione. Po ashtu, Lobbezoo tha se prokurorët duhet të jenë në krye të detyrës dhe të jenë ata që i drejtojnë hetimet kurse për çështje të ndërlikuara, ambasadorja iu sugjerojë prokurorëve që të punojnë në ekipe.
Në pjesën e dytë të konferencës, ish-kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni prezantojë në pika të shkurta edhe dokumentet e strategjisë së rishikimit funksional, për të cilat tha se kanë qëllim forcimin e shtetit në luftimin e dukurive negative, veçmas të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shtyllat kryesore të kësaj strategjie, Hyseni tha se janë ngritja e llogaridhënies, ngritja e efikasitetit, rritja e profesionalizimit dhe rritja e integritetit. Po ashtu, shtylla të kësaj strategjitë, Hyseni tha se janë edhe përmisimi i profesionalizmit në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës anti-korrupsion.
Në këtë aspekt, Hyseni tha se duhet të bëhen edhe ndryshime në Ligjin për KPK-në, atë për Kryeprokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale.
Në fund të konferencës, Agron Qalaj, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, bëri një prezantim për rolin e prokurorëve në politikën ndëshkimore kurse, Lavdim Krasniqi, Drejtor i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial, bëri një prezantim për Planin e veprimit të sistemit prokurorial gjatë pandemisë COVID-19.
Ndërsa, Lana Owens, Këshilltare Ligjore e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, bëri një prezantim për Programin e bursave në Wake Forest ku tha se do të pranohen katër prokuror në këtë universitet. /BetimipërDrejtësi


