Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kundërshtuar masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e bizneseve ose kufizimin e tyre, ndërkohë që nuk u ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që u shkaktohen.
KMDLNj në reagim deklaron se mbyllja e shtatë qyteteve në Kosovë jo që nuk e arriti qëllimin e pritur, por e pati efektin e kundërt. Madje, në raportin e së dielës del se numri i të infektuarve ishte mbi 700 e që, nëse krahasohet me numrin e testuarve del se 50% e të testuarve kanë dalë pozitivë. Pra Qeveria e Kosovës në këtë mënyrë po bëhet varrmihëse e shumicës së bizneseve, sikur edhe varfërimin e qytetarëve të Kosovës.
Reagim i KMDLNj-së:
Mbyllja e bizneseve pa miratim të programit për rimëkëmbje ekonomike, hap drejt anarkisë dhe falimentimit
Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, në përpjekje për ta luftuar pandeminë të shkaktuar nga COVID -9 e bëri një mbyllje “kreative“ për shtatë qytete në Kosovë duke i futur në një karantinë të pjesshme dhe duke caktuar orarin dhe profilin e bizneseve që lejohet të punojnë gjatë këtij karantinimi. Realisht, numri i të infektuarve dhe të vdekurve në Kosovë është rritur shumë, porse nuk dallon aspak nga trendët në vendet tjera.
KMDLNj, edhe më herët ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë disa masa kufizuese për të mbajtur nën kontroll apo parandaluar eskalimin e situatës , gjithnjë duke marrë parasysh interesin e qytetarëve. Mbyllja e shtatë qyteteve në Kosovë jo që nuk e arriti qëllimin e pritur, por e pati efektin e kundërt, si në rritjen e të infektuarve ashtu edhe të viktimave. Madje, në raportin e së dielës del se numri i të infektuarve ishte mbi 700 e që, nëse krahasohet me numrin e testuarve del se 50% e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Raporti i sotëm do ta pasqyrojë efektin definitiv të karantinimit të shtatë qyteteve në Kosovë e që do të duhej t’u shërbejë vendimmarrësve për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen. Gastronomët, që u dëmtuan më së shumti, protestuan kundër masave të Qeverisë së Kosovës dhe për këtë përfaqësuesit e tyre u dënuan me nga 500 euro gjobë e që për KMDLNj –në, aq sa është i padrejtë, është edhe kundër çdo logjike aq më parë që Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndihmuar bizneset e rrënuara apo që janë në prag të rrënimit.
Mjetet nga Pakoja Emergjente që kohë më parë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës , KMDLNj i konsideron si mjete paliative apo intervenime që u jepen atyre që janë buzë vdekjes, jo për t’i shpëtuar, por për t’ua zvogëluar dhembjet para vdekjes së pashmangshme.
Sepse, të mbyllësh bizneset, cilat do qofshin ato e që paguajnë tatim, pa i përkrahur ato, në fakt është kontribut për falimentimin e tyre , me shumë vende pune të humbura, kriza ekonomike dhe tensione sociale e që pashmangshëm do dhe duhet të çojnë në protesta që duhet të përkrahen nga të gjithë.
Mbi të gjitha është shkelje e të drejtave të njeriut, e drejta për punë , në radhë të parë. Për KMDLNj është krejtësisht e pamoralshme dhe e papranueshme që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë programin për Rimëkëmbje Ekonomike aq më parë që ata duhet ta përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e qytetarëve ( votuesve ) pavarësisht subjektit që e përfaqësojnë.
Të bëhen lojëra për përfitime politike në kohën kur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë galopante po shkojnë drejt varfërimit të skajshëm nuk ka të bëjë asgjë me moralin njerëzor, në radhë të parë , e pastaj atij politik aq më parë që pagat, shumë të shëndosha për deputetët i marrin nga ata që po varfërohen dhe po bëjnë përpjekje, jo për një jetë më të mirë, por për mbijetesë.
Shteti duhet të sigurojë lehtësira për të gjitha bizneset në përpjekje për rimëkëmbjen e tyre, sepse nga ato tatime edhe mbushet Buxheti i Kosovës. Serbia p.sh., deri më tani ka ndarë nga 5 paga për të punësuarit ndërkohë që Kosova ka ndarë vetëm nga dy paga sikur edhe të gjitha vendet e rajonit.
Nga Pakoja Emergjente është dashur të përfitojnë të gjithë ata që janë tatimpagues të rregullt pavarësisht a janë biznese, media, OJQ apo ushtrojnë ndonjë aktivitet tjetër. Pakoja Emergjente ka diskriminuar disa kategori të tatimpaguesve padrejtësisht.
KMDLNj e kundërshton çfarëdo kufizimi të bizneseve, pa asnjë dallim , nëse Qeveria e Kosovës nuk ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që i pëson biznesi gjatë mbylljes apo kufizimit. Deri më tani Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë këtë dhe në këtë mënyrë po bëhet varrmihëse e shumicës së bizneseve sikur edhe varfërimin e qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq , sa u përket parave të Trustit të Pensioneve, KMDLNj mendon se ato para janë të qytetarëve të Kosovës që i kanë kursyer e jo të Trustit dhe ata duhet të vendosin se sa para duan t’i tërheqin.
Shuma e lejuar prej 10 % është diskriminuese aq më parë që për paratë e deponuara në Trust qytetarët nuk përfitojnë asgjë, madje as kamatat e ligjshme ndërkohë që Trusti bën tregti me paratë e qytetarëve në tregjet ndërkombëtare, pa u pyetur fare pronarët e vërtetë të atyre parave e që janë qytetarët e Kosovës.