in

Katër të rinj denoncojnë policët për dhunë brutale në Gjilan: Na kanë rrahur deri në alivanosje

Katër të rinj nga Gjilani po pretendojnë se janë sulmuar nga gjashtë zyrtarë policorë mbrëmjen e së shtunës në lokalin “Mono” që gjendet në lagjen “Gavrani” në Gjilan.Altin Isufi, vëllai i tij, Arbër Isufi dhe dy djemtë e hallës së tij, Arian Kadriu dhe Asdren Emini kanë denoncuar në Inspektoratin Policor gjashtë policë, të cilët, sipas deklaratës së tyre, kanë ushtruar dhunë brutale ndaj tyre, pa ndonjë arsye.

Altini thotë se së bashku me tre familjarët e tij kanë hyrë në lokalin “Mono” rreth orës 21:40 dhe pasi kanë marrë nga një pije te banaku, janë ulur në një tavolinë të lirë brenda lokalit.

Përball tyre, ai thotë se kanë qenë të ulur disa policë, gjashtë prej të cilëve i njohin me emër dhe mbiemër. Altini thotë se këta policë pas disa minutave kanë shkuar te tavolina e tyre dhe pasi që i kanë fikur dritat, kanë filluar t’i godasin deri në alivanosje.

“Disa policë njërin prej tyre që e njoh, L.T, ka qenë duke pirë alkool përball neve, sepse e njoh është i të njëjtit vend nga jom unë. Ai ka qenë aty duke pi me disa shokë. Qysh kem t’u bo muhabet t’u kesh ndërmjet veti ka ora 22:00, një person është ulur afër meje në tavolinën tonë. Më tha ‘Po ulna pa të pyet’, i thash ‘okay, ulu’.”

“Pastaj i pashë që na rrethun në tavolinën tonë disa persona, na kanë fikur dritat dhe kanë filluar të na godasin pa kontroll, deri në alivanosje”.

Altin Isufi thotë për Sinjalin se është alivanosur për shkak të goditjeve, të cilat pretendon se i ka marrë nga zyrtarët policorë.

Ai thotë se kur është këndellur e ka parë veten jashtë lokalit, duke u mbajtur nga dy persona, derisa thotë se zyrtarët policorë në fjalë kanë ikur nga lokali.

Altini thotë se rastin në polici e ka paraqitu djali i hallës së tij, Arian Kadriu.

Pasi që policia i ka parë të rinj të gjakosur, ai thotë se i kanë dërguar në Emergjencë, ku kanë marrë tretman mjekësor.

I riu thotë se policët, të cilët i akuzon për sulm fizik, kanë qenë në gjendje të dehur, jashtë orarit të punës dhe pa uniforma zyrtare, kur ka ndodhur rasti.

“Policia e ka raportuar kinse vetëm një person është i përfshirë, por në fakt kem qenë 4 persona të sulmuar nga policë jashtë detyrës, pa uniformë, në gjendje të dehur. Na kanë mbajtur në stacion 6 orë, pa na marrë deklaratën.”

Madje, Altini thotë se sa kanë qenë ende në stacion policor, një polic u ka thënë që ta mbyllin këtë rast, në të kundërtën, të katërt do të përfundojnë në burg.

“Unë i kam thënë prokurores në stacion dhe policëve – ‘shkoni merrni incizimet e kamerave edhe shihet e vërteta’. Policia ka dashur ta fsheh rastin. Njëri prej tyre (policëve) na tha kshtu – ‘Shukatne punën ose muni me shku edhe ju në burg’.“

Ai thotë se menaxhmenti i lokalit po gënjen për punën e kamerave të sigurisë, duke thënë se ato kanë qenë jashtë funksionit që kohë më parë.

Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë një përgjigje nga lokali “Mono” sa i përket këtij rasti dhe çështjes së kamerave të sigurisë, por personi që është përgjigjur në telefon ka refuzuar të përgjigjet, duke thënë se për këtë rast mund të flasin vetëm nga policia.

Më pas, të rinjtë janë dërguar në stacion policor, ku Altini thotë se kanë qëndruar për gjashtë orë, pa dhënë deklaratë.

Gjatë kohës sa janë mbajtur në stacion, Altini thotë se nuk kanë pasur kontakt me njëri-tjetrin.

“Na kanë qitë jashtë dhe njëri prej viktimave pastaj, Arian Kadriu, e lajmëroi policinë dhe erdhën në vendin e ngjarjes. Kurse ata që na kanë sulmuar u larguan nga vendi i ngjarjes menjëherë. Pastaj e thirren emergjencën policia, sepse na panë gjendjen që na kanë sjellë. Shkuam në Emergjencë ku na dërguan aty për trajtim. Kem marrë trajtim, pastaj na kanë dërguar në stacion policor.“

“Personat, sulmuesit e përfshirë janë policë të Njësisë Speciale, edhe pse ishin jashtë detyrës në gjendje të dehur. Ka edhe të tjerë, por këta janë që i njohum: F. K., L. T., A. R., B. G., A. K., djali i prokurorit V. M. dhe disa të tjerë që nuk i njohim.”

“Policia ka manipuluar me rastin, e ka përfshirë vetëm një person, por në fakt jemi 4 persona të rrahur. Rasti ka ndodhur të shtunën më 22 maj, rreth orës 22:00”, tha ai.

Lidhur me këtë rast Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Inspektoratit Policor të Kosovës, nga ku e kanë konfirmuar nisjen e hetimeve.

“Ju njoftojmë se Departamenti për menaxhimin e ankesave në IPK ka pranuar ankesë nga një qytetar në lidhje me këtë rast dhe rasti është në fazën e hetimit preliminar”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të zyrtarëve policorë të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë rast, por vetëm njëri prej tyre, B.Gj., ka kthyer përgjigje dhe e ka mohuar se është i implikuar në këtë rast.

“Sa i përket rastit që ka ndodhur atë mbrëmje, unë nuk kam qenë i përfshirë dhe nuk kam çfarë të shtoj dhe gjithashtu nuk dua që emri im të keqpërdoret nëpër media, kaq”, thuhet në përgjigjen e policit B.Gj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Masakër në SHBA/ 8 të vrarë dhe disa të plagosur nga një sulm me armë

Intervistë me Gani Mehmetajn fituesin e çmimit "Kadare" 2021 nga ora 22.30 në Ora News