Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili ka qenë edhe zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij. Pala mbrojtëse tha se shumë shpejt do të bëjë kërkesë për lirimin me kusht të Krasniqit.
“Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, tha Krasniqi gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet nëse deklarohet i pafajshëm apo fajtor për krimet që rëndojnë ndaj tij.
Krasniqi, para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.
“Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira për jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit, të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, tha Krasniqi gjatë një fjalimi para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar.
Ai shtoi se “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është “koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit”, duke shtuar se e gjithë kjo maskaradë është në shërbim të politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë, për të cilat edhe prokurori serb e pranoi vetë që ka qenë prokuror që nga viti 2003.
“Në seanca të tjera do them edhe më shumë, veç s’do të ndihesha mirë të isha në shërbim të politikave të krimit dhe gjenocidit të Serbisë për të cilat edhe prokurori serb, Vukçeviq pasi që është ngritur aktakuza e pranoi se ka qenë prokuror nga viti 2003, unë mendoj se adresa e qartë e krejt kësaj masakarade është në Beograd dhe te mbështetësit e politikave të saj kudo qofshin ato”, ka thënë ai.
Krasniqi u ankua edhe për trajtimin që po i bëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Unë jam arrestuar më 4 nëntor. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë”, tha ai.
Krasniqi, që ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ka lexuar aktakuzën ndaj tij dhe se e kupton atë, shkruan fax.al.
“Mua më është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta mbaj këtë padrejtësi. Unë dhe populli im kanë mbajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi”, tha Krasniqi para Dhomave të Specializuara.