Në seancën e sotme Zyra e Prokurorit të Specializuar propozoi që gjykimi të nisë në verën e vitit 2021, por kjo u kundërshtua nga mbrojtja, sipas së cilëve duhen së paku 18 muaj për hetime dhe gjykimi mund të nisë në verë 2022.
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, e quajti absurd propozimin për fillim të procesit gjyqësor vitin e ardhshëm. Prokuroria bëri të ditur që do t’i dorëzojnë mbrojtjes rreth 10 mijë materiale shfajësuese jo më vonë se dorëzimi i materialeve në mbështetje të aktakuzës.
“Synojmë të ndjekim urdhrin e juaj për masa mbrojtëse, në pika të shkurtra mbrojtja ka informacion të bollshëm për të ftilluar hetimet menjëherë, ne ua kemi bërë të ditur afatin e nxjerrjes së materialeve. Realiteti është që nga informacionet që ka tani mbrojtja, është e njoftuar me çështjen, nuk është befasi për mbrojtën. Nuk ka arsye që gjykim i kësaj të mos fillojë në verën e vitit 2021”, tha Claire Lason, prokurore e Gjykatës Speciale.
Por avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, kundërshtoi afatin e Prokurorisë për të nisur gjyqi në qershor të vitit të ardhshëm. Ai theksoi se Prokuroria ka kryer hetime përgjatë 5 viteve të fundit dhe ka pasur në dispozicion materiale prej hetimeve të tjera që janë kryer shumë vjet më parë.
“18 muaj do të na duhen para se të mund të mendojmë për fillimin e një gjykimi. Për mendimin tim, propozimi që ky gjykim të fillojë në qershor është absurd. Kjo është një çështje e komplikuar. Ndoshta do të fillojë në verë në qershor, por jo vitin e ardhshëm, ndoshta një vit më pas. Këto vlerësime të përafërta janë diskutuar me kolegët e tjerë. E dyta, sa i përket aktakuzës kur ke përpara një aktakuzë që është e redaktuar, për shembull një fjali kur thotë ‘në një ditë’ dhe nuk jepet dita apo data, kjo nuk është një format adekuat me fjalë të tjera, redaktimi duhet të jetë një shkallë më të vogël dhe materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”, tha Hooper.
Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, mbështeti kolegun Hooper duke thënë se gjyqi nuk mund të fillojë në verën e vitit 2021 pasi u duhen së paku 18 muaj për të hetuar.
“Është e qartë, bazuar në përvojat e gjykimeve në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, kundër anëtarëve të UÇK-së, gama dhe natyra e hetimeve që kërkohen të bëhen nga mbrojtja do të jenë mjaft të mëdha. Akuza e prokurorisë është ndërtuar, janë bashkuar disa akuza të ndryshme, nga zona të ndryshme, janë përmendur shumë emra njerëzish, dhe njerëz që pretendojnë se kanë qenë anëtarë të UÇK-së kanë sajuar akuzat. Nga kjo përvojë e mëparshme në Tribunalin e Jugosllavisë, na ka treguar se mund të kenë prova false që janë paraqitur në shumë raste nga prokuroria. Ndoshta prokuroria nuk e di që kanë qenë false, por ne na duhet të bëjmë ekzaminim forenzik të fakteve të paraqitura”, deklaroi avokati i Veselit.
Edhe David Young, avokat i Rexhep Selimit, tha se afatet kohore nga Prokuroria janë të papranueshme. “Çuditem se si prokuroria mendon që të akuzuarit mund të prisnin që akuzat kundër tyre do të konfirmoheshin. Afatet kohore janë absolutisht të papranueshme. Ne duhet të kemi kohë të mjaftueshme për të bërë hetimet tona. Për të kryer hetime të thelluara, na duhet kohë e mjaftueshme dhe një kalendar pune që duhet të jetë i arsyeshëm”, tha David Young.
Kundër afatit të Prokurorisë për fillimin të gjykimit në mesin e vitit 2021 u shpreh edhe Venkatesëari Alagendra, mbrojtja e Jakup Krasniqit. “Lidhur me përgatitjen e çështjes na duhet kohë e mjaftueshme, mjete të mjaftueshme, të përshtatshme, duhet që të bëhet vlerësimi i kësaj fjale në kuadër të rrethanave aktuale, të situatës COVID, duke marrë parasysh edhe kohën që ka pasur Prokuroria për të nxjerrë aktakuzën kundër katër të akuzuarve”, tha Alagendra.
Të gjithë avokatët mbrojtës paralajmëruan se do të aplikojnë për lirim me kusht të të pandehurve. Në seancën e sotme në Gjykatën Speciale në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake bëri të ditur se në këtë konferencë nuk përcaktohet data për fillimin e procesit gjyqësor, por theksoi se sa më shpejt të përfundojë procesi i nxjerrjes së dokumentacionit nga Prokuroria, aq më shpejt do të vijojë procesi.
Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u paraqitën para Speciales javën që shkoi, pasi aktakuzat ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës u publikuan në fillim të nëntorit. Ata po mbahen në paraburgim dhe në paraqitjen e tyre të parë të gjithë u deklaruan të pafajshëm.