Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kujtuar sot masakrën e forcave serbe, e cila ndodhi në katundin Rezallë të Skenderajt, para 22 vjetëve, ku u vranë 98 civilë, duke e cilësuar atë si gjenocid kundër popullatës së pafajshme. Ai njëkohësisht kërkon drejtësi për të gjitha viktimat.
“Sot bëhen 22 vite kur në Rezallë të Skënderajt, 98 persona civilë të pafajshëm u ekzekutuan nga dora vrastare e okupatorit serb. Nga 44 prej tyre që figuruan të zhdukur, një pjesë e trupave janë gjetur në Rudnicë të Rashkës, e të tjerët vazhdojnë të mbesin të zhdukur.
Kjo masakër, ndër më të rëndat në Kosovë është një tjetër dëshmi e gjenocidit të ushtruar mbi popullin tonë. Ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për secilën viktimë të këtij gjenocidi të pamëshirshëm, derisa të gjenden trupat e të gjithë të zhdukurve, derisa të dënohen të gjithë fajtorët, derisa shteti serb të kërkojë falje për krimet e bëra.
Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që u flijuan për Kosovën!”, ka shkruar Hoxhaj.


